Lajme

Serwer: Serbët e Kosovës janë pjesë ekzistenciale e shtetësisë – faktor që e dallon nga Shqipëria


Daniel Serwer

Në pjesën veriore të territorit të Kosovës, komunat e banuara kryesisht me serbë etnikë, po përpiqen të mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Serbia, ndërsa perspektiva e ndarjes apo frika nga aneksimi po ngrihet herë pas here në debatet publike.

E specialisti i fushës për menaxhimin e konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka shkruar mbi punët që duhet t’i kryej Qeveria e Kosovës që të sigurohet se ky skenar nuk do të ketë kurrë sukses.

Ai ka shkruar se ekzekutivi kosovar duhet t’ua “shtrijë dorën” katër komunave me shumicë serbe në veri të vendin – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – në mënyrë që së pari të vendoset ligjit atje, pastaj të mundësohet diskursi politik i lirë dhe pluralist.

Së treti, sipas profesorit amerikan, pushteti qendror duhet të mirëpresë “disidencën” në komunitetet serbe, jo vetëm në veri. Ai ka konsideruar se partitë opozitare shqiptare duhet të kontaktojnë serbët në veri për të krijuar koalicione e për të “freskuar” skenën politike.

“Shumica e serbëve të Kosovës nuk e pëlqejnë pavarësinë e Kosovës. Por për sa kohë që ata mbeten në Kosovë – shpresoj përgjithmonë – janë një pjesë jetike e saj”, ka shkruar Serweri. Prandaj pa serbët kosovarë, shteti “do të humbiste një arsye të rëndësishme për ekzistencën e vet”.

“Serbët janë, përveç një historie të veçantë të popullatës shqiptare, një nga faktorët e rëndësishëm që e dallojnë Kosovën nga Shqipëria. Një patriot i Kosovës sot do të dëshirojë që të gjithë serbët dhe pakicat e tjera të mbrohen dhe madje të jenë të mirëseardhur”, ka theksuar ai.

Përkundër se “kosovarët gjithnjë e më shumë e vlerësojnë këtë tezë”, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk shqetësohet aspak për “mirëqenien e serbëve në Kosovë”, veçanërisht të atyre që jetojnë në jug të lumit Ibër, duke përdorur gjendjen e tyrë për ngritur “ethet e luftës” në Serbi.

“Beogradi është i përkushtuar për ndarje. Ajo e dëshiron veriun, de facto nëse jo de jure. Prishtina duhet të synojë ta bëjë [ndarjen] diçka që serbët e veriut e refuzojnë”, ka përfunduar profesori amerikan në Universitetin  “Johns Hopkins” në Baltimore të Shteteve të Bashkuara.

Për shumë njohës të zhvillimeve në rajon, perspektiva e ndarjes së veriut nuk mund të izolohet; derisa iu krijohet mundësia grupeve kriminale të zgjerojnë fushëveprimin e tyre, në Bruksel lihet anash marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kriza në veri të Kosovës “rikthen” idenë e këmbimit të territoreve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore