Lajme

Kriza në veri të Kosovës “rikthen” idenë e këmbimit të territoreve


Policia e Kosovës

Në pjesën veriore të territorit të Kosovës, komunat e banuara kryesisht me serbë etnikë, po përpiqen të mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Serbia, ndërsa perspektiva e ndarjes apo këmbimit të territoreve po ngrihet herë pas here në debatet publike.

Këmbimin e territoreve e kishte spikatur ish-presidenti kosovar, Hashim Thaçi, me idenë fillestare që katër komunat në veriun e Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku – do t’i bashkëngjiteshin Serbisë, kurse tri komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës do t’i bashkoheshin Kosovës.

Megjithatë, partitë opozitare në Kosovë, posaçërisht Lëvizja Vetëvendosje që tani është në pushtet, jo vetëm që kishin dalë kundër këtij propozimi, por e kishin vënë në dyshim mandatin e ish-presidentit Thaçi për të negociuar në emer të popullit të Kosovës për këmbimin e territoreve. Edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj shpejt e kishte ‘prerë’ këtë trajektore nepër të cilën parashihej të rrjedhte dialogu Kosovë-Serbi.

E idenë e ripërcaktimit të kufijve në vija etnike e kanë dhënë edhe shumë diplomatë e analistë perëndimorë, përfshirë analistin ushtarak për siguri dhe mbrojtje, Maurizio Geri, i cili aktualisht është asistent në Qendrën e NATO-s për Kërkime dhe Eksperimente Detare në La Spezia të Italisë.

Në një shkrim autorial në revistën britanike për politikë dhe kulturë “The Critic”, ai ka shkruar në lidhje me vijimësinë e vështirësive që ka hasur Bashkimi Evropian në kontekstin e konfliktit shqiptaro-serb, posaçërisht pas tensioneve në veriun e trazuar të Kosovës në fund të muajit maj.

Ai ka rikujtuar së vite më parë, ekzistonte një opsion për zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë atë të veriut – çështje që kishte mbetur e papërfshirë edhe në propozimin gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit – por që ishte refuzuar kategorikisht nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare.

Ideja e këmbimit të territoreve kishte gjetur konsideratë më të madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, porse “pozicioni fleksibil” i administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump kishte hasur në kundërshtimin e rreptë të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.

“Amerikanët kishin sugjeruar negocimin mbi një parim të ri: një këmbim territoresh ku të dy palët do të rishikonin kufijtë e tyre përgjatë vijave etnike duke transferuar pjesën me shumicë serbe të veriut të Kosovës në Serbi në këmbim të një pjese me shumicë shqiptare të Serbisë jugore në Kosovë”.

Nën trysninë e kancelares gjermane Angela Merkel, ka theksuar Geri, evropianët e kishin kundërshtuar ashpër idenë e ndarjes së Kosovës, pavarësisht se disa vende anëtare të BE-së filluan t’i bashkoheshin amerikanëve, me premisën se rivizatimi i kufijve mund të përbënte një precedent për destabilizimin e mëtejmë të rajonit.

“Me ndryshimin e administratës amerikane, përgjegjësia për ndërmjetësimin iu dorëzua BE-së. Marrëveshja vdiq. Brukseli nuk arriti të merrte atë që i duhej: që të dy palët të njihnin integritetin territorial të njëra-tjetrës. Konflikti mbetet i pazgjidhur”, ka nënvizuar ndër të tjera ish-oficeri i NATO-s.

Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Bolton, në një intervistë për Albanian Post, kishte thënë se refuzimi i evropianëve dhe mungesa e vullnetit në Prishtinë e Beograd rreth ‘idesë amerikane’ qe rrjedhojë e faktit se kufijtë e tjerë në rajon nuk ishin stabilë dhe mund t’i përkeqësonin tensionet ndër-etnike.

“Nuk do të ishte problem nëse secili do të kuptonte se do të ishin dy palët mospajtuese që po bënin një zgjidhje të veçantë. Mendoj se është gabim të projektosh se çka ndodhë në një situatë, mund të ndodhë automatikisht edhe në tjetrën. Por mendoj se ky ishte një faktor, thjesht nuk iu pëlqente ideja e ndryshimit të kufijve”, kishte thënë Bolton, i cili atëherë vlerësonte se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë nuk kishte pse të përjashtonte këmbimin e territoreve.

Në kushtet kur Kosovës i është bërë barrë e madhe veriu, duke e sfiduar pavarësinë e saj e duke mos i dëshmuar besnikëri autoriteteve qendrore dhe në kushtet kur formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është bërë “detyrë urgjente” dhe “hap ekzistencial” për Kosovën, atëherë për shumë ekspertë të politikave ballkanike, modeli i këmbimit të territoreve mes të dy vendeve del të jetë i drejtë.

Këtë e ka artikuluar rishtas edhe James Ker-Lindsay, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Londër të Britanisë së Madhe. Ai ka propozuar të shqyrtohet perspektiva e ndarjes së veriut, një operacion që mund të hapë rrugën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë ngase nuk ka pengesa ligjore apo politike, ndonëse tejet e vështirë.

“Nuk ka asgjë në të drejtën ndërkombëtare që i pengon shtetet të rregullojnë vullnetarisht kufijtë e tyre. Një shkëputje e pastër mund të jetë zgjidhja. Kjo do të shënonte fundin e debatit për statusin e Kosovës”, ka thënë profesori britanik, duke marrë njëkohësisht shembullin e Irlandës Veriore dhe Britanisë së Madhe – një ndër marrëveshjet më të suksesshme të paqes në Evropë në shekullin e njëzetë.

“Për hir të zgjidhjes gjithëpërfshirëse që në fund do ta shihte Kosovën të njohur ndërkombëtarisht dhe do t’i lejonte Serbisë të ecë përpara, ndoshta është koha për të diskutuar këtë ide – veçanërisht pasi shumë në Kosovë e refuzojnë fuqishëm të vetmen alternativë tjetër realiste: autonominë për serbët”, ka thënë Ker-Lindsey, që duket se do të kënaqte edhe serbët e veriut të Kosovës edhe shqiptarët e jugut të Serbisë.

Për shumë njohës të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, perspektiva e këmbimit të territoreve nuk mund të izolohet; derisa iu krijohet mundësia grupeve kriminale në veri të Kosovës të zgjerojnë fushëveprimin e tyre dhe shqiptarët të diskriminohen sistematikisht në Serbi, në Bruksel lihet anash marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa e ardhmja e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit po shfaqet e zymtë në sytë e Perëndimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore