Lajme

Sërish bastisje në Veri për rastin në Banjë


Policia e Kosovës në Veri.

Policia e Kosovës është duke zhvilluar bastisje në disa lokacione në Veri të Kosovës lidhur me rastin e Banjës në Zveçan më 24 shtator.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani, për Albanian Post.

“Po, jemi duke kryer disa bastisje në disa lokacione në Veri. Bastisjet kanë të bëjnë me rastin e 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit”, ka thënë Elshani për AP.

Ai tutje ka deklaruar se deri në këtë moment s’ka ndonjë të arrestuar.

“Aktualisht s’kemi të arrestuar, por pasi që të përfundojnë bastisjet do t’iu informojmë”.

Armatimi i gjetur në Veri të Kosovës me 14 tetor.

Të hënën e 16 tetorit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar se armatimi i konfiskuar së fundmi në Veri, tregon për nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzime nga Serbia.

Ministri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’ kishte publikuar pajisje të reja të konfiskuara në Veri.

“Armatimi i konfiskuar në veri të Kosovës jep sinjale të qarta për nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzim nga Serbia. Minat dhe pajisjet e sofistikuara më poshtë janë një tjetër provë. Nevojitet ndonjë provë tjetër që kemi të bëjmë me grupe terroriste të mirë organizuara”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, në një komunikatë të përbashkët për media, këtë të shtunë, kishte bërë të ditur se ka përfunduar kontrolli në shtatë lokacione në Veri të Kosovës, ku ka gjetur armë, municione, mjete shpërthyese e pajisje tjera ushtarak.

“Prokuroria Speciale njofton se me urdhër të gjykatës, Policia e Kosovës ka zhvilluar kontrolle në shtatë lokacione në pjesën veriore të vendit, që lidhen me ngjarjet e 24 shtatorit 2023. Po ashtu, ju njoftojmë se kontrollet janë kryer në lokacione të ndryshme, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë”, thuhej fillimisht në komunikatë për media.

Gjatë këtyre kontrolleve, në një podrum të njërit nga tre soliterët në Mitrovicën e Veriut, janë gjetur një sasi municioni, kallashnikovë, zola, eksploziv.

Pjesëmarrës në këto kontrolle ishin edhe zyrtarë nga EULEX-i, kurse te tre rrokaqiejt prezent kanë qenë edhe EOD -KFOR-i, po ashtu EOD e Policisë së Kosovës ka qenë në vend të ngjarjes.

“Ka sasi edhe më të mëdha” – S’i u fut gjithë ai arsenal i madh armësh në Kosovë dhe përse nuk u hetua as nga KFOR-i as nga Policia?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore