Kosova

Sveçla publikon fotografi të reja të minave në Veri: Kemi të bëjmë me grupe terroriste të organizuara mirë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se armatimi i konfiskuar së fundmi në Veri, tregon për nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzime nga Serbia.

Ministri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’ ka thënë se ato janë një tjetër provë që Kosova ka të bëjë me grupe terroriste të mirë organizuara.

“Armatimi i konfiskuar në veri të Kosovës jep sinjale të qarta për nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzim nga Serbia. Minat dhe pajisjet e sofistikuara më poshtë janë një tjetër provë. Nevojitet ndonjë provë tjetër që kemi të bëjmë me grupe terroriste të mirë organizuara”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, në një komunikatë të përbashkët për media, këtë të shtunë, kishte bërë të ditur se ka përfunduar kontrolli në shtatë lokacione në Veri të Kosovës, ku ka gjetur armë, municione, mjete shpërthyese e pajisje tjera ushtarak.

“Prokuroria Speciale njofton se me urdhër të gjykatës, Policia e Kosovës ka zhvilluar kontrolle në shtatë lokacione në pjesën veriore të vendit, që lidhen me ngjarjet e 24 shtatorit 2023. Po ashtu, ju njoftojmë se kontrollet janë kryer në lokacione të ndryshme, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë”, thuhej fillimisht në komunikatë për media.

Gjatë këtyre kontrolleve, në një podrum të njërit nga tre soliterët në Mitrovicën e Veriut, janë gjetur një sasi municioni, kallashnikovë, zola, eksploziv.

Pjesëmarrës në këto kontrolle ishin edhe zyrtarë nga EULEX-i, kurse te tre rrokaqiejt prezent kanë qenë edhe EOD -KFOR-i, po ashtu EOD e Policisë së Kosovës ka qenë në vend të ngjarjes.

“Ka sasi edhe më të mëdha” – S’i u fut gjithë ai arsenal i madh armësh në Kosovë dhe përse nuk u hetua as nga KFOR-i as nga Policia?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore