Sport

Serie A/ Inter-i kërkon shkëputjen në krye, Genoa për fitoren e parë pas 14 ndeshjeve


E premtja do të çel javën e 18 në Serie A italiane me dy përballje. Lazio do të presë Genoa-n dhe Inter-i udhëton drejt Salernos.

Sfida e parë e ditës do të luhet në “Olimpico”, mes Lazio-s dhe Genoa-s, duke filluar nga ora 18:30.

Genoa ka 14 ndeshje pa fitore në Serie A. Nën drejtimin e ukrainasit, Andryi Shevchenko kuqeblutë kanë katër humbje dhe një barazim. Si dhe kanë shënuar vetëm një gol.

Lazio e Maurizio Sarri-t gjithashtu po kalon një moment me ulje-ngritje në kampionat. Në pesë ndeshjet e fundit kanë humbur tre herë, si dhe kanë barazuar dhe fituar nga një herë.

Në renditje, kryeqytetasit mbajnë vendin e nëntë me 25 pikë. Genoa mbanë vendin e 18 me 10 pikë.

Përballja e fundit mes dy skuadrave ishte në sezonin e kaluar të Serie A. Në “Olimpico”, Lazio fitonte me shifrat 4-3.

Ndeshja e fundit e ditës në Serie A do të luhet në “Stadio Arechi”. Salernitana vendase do të presë Inter-in, duke filluar nga ora 20:45.

Vendasit mes problemeve të shumta, duke filluar nga pronësia, do të përpiqen të kthehen te rezultati pozitiv në kampionat.

Në krahun tjetër, zikaltrit e drejtuar nga Simone Inzaghi, synojnë shkëputjen në vendin e parë të Serie A, pas kësaj ndeshje të lehtë në letër.

Aktualisht, Inter-i ka 40 pikë në renditje dhe ruan kryesimin me një pikë më shumë se Milan-i i vendit të dytë. Salernitana qëndron në fund të tabelës së klasifikimit me tetë pikë.

Përballja e fundit mes dy skuadrave ka qenë në sezonin 1998/99. Në këtë stadium ishin vendasit që triumfonin me rezultatin 2-0.

Serie A do të vijojë në fundjavë:

Të shtunën

Atalanta – Roma

Bologna – Juventus

Cagliari – Udinese

Të dielën

Fiorentina – Sassuolo

Spezia – Empoli

Torino – Hellas Verona

Sampdoria – Venezia

Milan – Napoli

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore