Sport

Serie A/ Atalanta triumfon në Sardenjë


Atalanta e Gian Piero Gasperini-t ka dalë triumfuese në përballjen me Calgiari-n. Në sfidën e luajtur në Sardenjë, bergamaskët fituan me shifrat 2-1.

Skuadrat u ndeshën për javën e 12 në Serie A. Të tre golat e takimit u shënuan në pjesën e parë.

Zikaltrit nga Bergamo ishin dominues të lojës në të dy pjesët e saj. Zotrimi i topit ishte 63%, teksa gjuajtën 21 herë në drejtim të portës kundërshtare, tetë prej të cilave ishin në kuadrat dhe dy përfunduan në rrjetë.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e gjashtë nga kroati, Mario Pasalic. Cagliari barazoi ndeshjen përkohësisht me Joao Pedro-n në minutën e 27. Për të vulosur shifrat përfundimtare të takimit mendoi kolumbiani, Duvan Zapata në të 43 minutë.

Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ishte i ftuar në këtë takim, por nuk mori asnjë minutë, pasi ka pak ditë që është kthyer nga dëmtimi.

Atalanta mori tri pikët e radhës në Serie A. Në total, pas 12 javëve skuadra e Gasperini-t numëron 22 pikë të grumbullura dhe renditet në vendin e katërt në kampionat. Cagliari ka gjashtë pikë dhe mbetet në vendin e fundit të renditjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore