Pajisje

Seria S22 e Samsung-ut, ‘kokë më kokë’ me iPhone 13-n e Apple-it


Kompania Samsung Electronics ka zbuluar versionet më të fundit të telefonave inteligjentë Galaxy S.

Ata disponojnë funksione të përmirësuara të kamerës dhe një çip procesori më të shpejtë.

Me nxjerrjen e tyre, kompania ka shpresën se përmirësimi i funksioneve do të ringjallë shitjet pas dy viteve të dobëta.

Agjencia e lajmeve “Reuters” tregon se seria S22 do të konkurrojë drejtpërdrejt me telefonin inteligjent iPhone 13 të gjigantit amerikan Apple, version të prezantuar shtatorin e kaluar.

Strategjia celulare premium me dy pista e Samsung-ut ka mundësuar prezantimin e modeleve kryesore në gjysmën e parë të vitit dhe telefonat e palosshëm Galaxy Z në të dytin.

Me synimin për të tërhequr konsumatorët e shqetësuar për cilësinë e videos dhe fotos, Samsung-u ka thënë se kamera e telefonave S22 ofron foto më të qarta me dritë të ulët dhe foto natën.

Gjithashtu zotëron inkuadrim automatik që mund të gjurmojë deri në 10 persona, duke siguruar që ata janë të gjithë në kornizë dhe në fokus.

S22 Ultra, ndryshe versioni më i shtrenjtë, vjen bashkë me një laps. Kjo është një veçori e modelit Galaxy Note me ekran të madh, për të cilin shumë fansa dhe analistë besojnë se do të ndërpritet së prodhuari.

Teksa Samsung-u u përball me shitjet e telefonave inteligjentë të rënë gjatë pandemisë, rivali Apple regjistroi fitime.

Zakonisht, paketa e produkteve Galaxy S shet më shumë se 30 milionë njësi në vit. Por ka regjistruar më pak se 25 milionë në vitin 2020 dhe më pak se 30 milionë vitin e kaluar.

Kjo ka qenë pjesërisht e penguar nga mungesa e komponentëve, sipas Jene Park, analist i lartë në firmën kërkimore Counterpoint.

“Besojmë se Samsung-u do të dërgojë më shumë se 15 milionë njësi të familjes Galaxy S22 në gjysmën e parë të vitit 2022. Nëse shitja fillestare është e mirë, mund të presim që ajo të arrijë në 30 milionë njësi”, ka vijuar ai.

Mungesa globale gjysmëpërçuese pritet të vazhdojë edhe këtë vit, por analistët parashikojnë se Samsung-u do të jetë para rivalëve falë fuqisë blerëse dhe kontrollit të fortë në zinxhirin e furnizimit.

Sipas vetë kompanisë, telefonat S22 Ultra, S22 Plus dhe S22 do të jenë gjerësisht të disponueshëm duke nisur nga 25 shkurti.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Galaxy S22 do të kushtojë 799.99 dollarë, S22 Plus 999.99 dollarë dhe S22 Ultra 1 milion e 199 mijë e 99 dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore