Pajisje

Pse COVID është dhuratë për kriminelët kibernetikë?


Në një webinar të krijuar për të ndihmuar bizneset e udhëhequra nga hispanikët amerikanë të mbijetojnë tronditjen ekonomike të COVID-it, një nga folësit ishte Jesus Mantas, një ekzekutiv i IBM.

Atje, ai lëshoi një paralajmërim të sinqertë.

Nivelet e krimit kibernetik ishin shumëfishuar kohët e fundit, sipas tij , duke vënë në dukje “një rritje prej 6 mijë për qind të mesazheve të padëshiruara të lidhura me COVID” në kulmin e pandemisë.

Ai vazhdoi duke përmendur disa shembuj rrëqethës.

Njëri ishte i një emaili të dërguar njerëzve që “janë të dëshpëruar për Programin e Mbrojtjes së Pagave të SHBA-ve. Ai instalon malware në kompjuterët e tyre, vjedh të gjithë informacionin e tyre dhe thotë: Nëse nuk na paguani një shpërblim, ne do të infektojmë ju dhe familjen tuaj me COVID”.

Një tjetër “pretendohet të jetë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe është instaluar për të rrëmbyer çdo gjë që bëni në kompjuterin tuaj”.

Konkluzioni i tij?

“Krimi kibernetik është një nga bizneset me rritjen më të shpejtë tani”.

Pretendimet për sulme kibernetike të sponsorizuara nga shteti kanë rrëmbyer lajmet javët e fundit.

FBI e ka akuzuar Kinën për përdorimin e spiunazhit digjital për të vjedhur kërkime mbi një vaksinë COVID, ndërsa Australia ka vënë gishtin drejt Kinës për sulme të përhapura kibernetike.

Por, siç thotë Mantas, tendenca më e habitshme është shpërthimi i sulmeve ndaj bizneseve dhe individëve.

Dhe megjithëse pakicat në SHBA, të cilët mund të jenë më pak të informuar për rreziqet dhe më nervozë për t’iu qasur autoriteteve, duken veçanërisht të prekshme, sulmi po ndihet pothuajse nga të gjithë, pothuajse kudo.

Siç theksoi kohët e fundit Echo, rrjeti i sigurisë kibernetike i BE-së, COVID ka lënë shumë prej nesh kaq të hutuar dhe të çorientuar saqë mbrojtja jonë është në rënie, edhe pse jemi më të varur se kurrë nga të gjitha gjërat digjitale.

“Kjo pandemi u ofron sulmuesve kibernetikë mundësi unike për të shfrytëzuar taktikat, teknikat dhe procedurat ekzistuese të sulmit për të shfrytëzuar mundësi të reja”, vëren Echo, përpara se të identifikojë “një rritje masive të punonjësve që punojnë nga shtëpia, fëmijëve që përdorin kompjuterët e shtëpisë për shkollim, si dhe emocionet e shkaktuara nga pandemia”, si çështje që po rrisin nivelet e rrezikut.

Sakaq, ka pasur disa viktima të profilit të lartë.

Në Londër, Zaha Hadid Architects pranoi se disa nga të dhënat e saj ishin vjedhur në prill.

Në San Francisko, një laborator i Universitetit të Kalifornisë pësoi gjithashtu një sulm ransomware.

Hakerët ngrinë sistemet e tij – sisteme që po mbështesnin kërkimin e një kure për COVID – dhe kërkuan pagesë.

Laboratori dorëzoi një shpërblim prej 116.4 bitcoin sepse “të dhënat që u koduan janë të rëndësishme për disa nga puna akademike që ne ndjekim si një universitet që i shërben të mirës publike”.

Microsoft ka zbuluar së fundmi masat për të parandaluar një sërë sulmesh ndaj kompanive nëpërmjet programit të tij Office.

Këto zakonisht përdorin mesazhe phishing me terma të tillë si “Bonus Covid-19”, ka bërë me dije kompania.

Ndërkohë, grupi i investimeve kibernetike Option3Ventures ka parë një shpërthim në sulmet ndaj spitaleve, shpesh duke përdorur një etiketë COVID-19.

Grupi ka qenë gjithashtu dëshmitar i një objektivi të ri.

“Më parë, hakerët synonin përpjekjet e koronavirusit. Tani, ata i kanë vënë sytë te protestat e George Floyd”, shkruan Lisa Donnan, një partnere në Option3Ventures, e cila thotë se FBI ka regjistruar 20 mijë sulme kibernetike të lidhura me COVID dhe protestat.

Çfarë duhet të konkludojmë nga kjo prirje thellësisht dëshpëruese?

Së pari, këto sulme duhet të na kujtojnë të gjithëve se ne ende nuk i kuptojmë vërtet efektet e shumta të rendit të dytë të tmerreve të COVID.

Shumë kohë pasi tronditja mjekësore e sëmundjes të shuhet, ne do të numërojmë format e tjera të dëmtimit kolateral, një prej të cilave janë hakerimet kibernetike.

Një mësim tjetër rrotullohet rreth çështjes së asaj që ekonomistët mund ta përshkruajnë si “asimetri ekstreme informacioni” – fakti që ne të gjithë mbështetemi shumë në procese që vetëm një pakicë e vogël ekspertësh i kuptojnë në të vërtetë, qoftë në mjekësi, financë apo hapësirë kibernetike.

Në kohë normale, ne zakonisht i shpërfillim me kënaqësi këto asimetri dhe varësi.

Ne e jetojmë jetën me nivele ekstreme të besimit të verbër në sigurinë e sistemeve dhe supozojmë se ato do të na mbrojnë, edhe pse nuk jemi të pajisur mirë për ta kontrolluar këtë.

Sidoqoftë, COVID ka zbuluar marrëzinë e supozimit se sistemet mjekësore – ose ekspertët digjitalë – do të na mbrojnë gjithmonë.

Por ja që nëse të gjithë nuk bëjmë më shumë përpjekje për të kuptuar pandemitë, ato janë më të vështira për t’u luftuar.

Duhet të na kujtojë gjithashtu rreziqet e vendosjes së niveleve të tepruara të besimit tek ata ekspertë – dhe rrjete – që ne e kemi edhe më të vështirë për t’i kuptuar.

Hapat si Mantas e IBM që po ndërmarrin në drejtim të edukimit të komuniteteve të biznesit rreth krimit kibernetik janë të mirëpritura.

Por duhet bërë në mënyrë dramatike më shumë përpjekje në të gjithë shoqërinë.

Të gjithë duhet të mbyllim “asimetritë” në të kuptuarit tonë të teknologjisë digjitale – diçka në të cilën po mbështetemi edhe më shumë në epokën e COVID.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore