Sport

Seria A/ Milan-i, Napoli dhe Inter-i luajnë për kreun e renditjes


Tre sfida do të luhen në Serie A italiane këtë të shtunë. Ndeshjet luhen për javën e 16 të kampionatit. Në fushë do të zbresin tre ekipet e para në tabelën e klasifikimit, Napoli, Milan-i dhe Inter-i.

Përballja e parë do të luhet në “San Siro”. Milan-i do të ketë një ndeshje të lehtë në letër përballë vendit të fundit në rendije, Salernitana-s. Sfida do të fillojë nga ora 15:00.

Një duel interesant që në Serie A mungonte që prej 31 janarit 1999. Kohë kur Milan-i fitonte me rezultatin 3-2, falë dygolëshit të Bierhoff-it dhe një gol nga Weah.

Në total, dy skuadrat kanë katër përballje në historinë e tyre. Tre fitore janë për kuqezinjtë dhe një për Salernitana-n.

Stadiumi “Olimpico” do të presë sfidën mes Roma-s dhe Inter-it. Ndeshja do të luhet duke filluar nga ora 18:00.

Një duel i veçantë për Jose Mourinho-n, që përballet me skuadrën me të cilën ka fituar tripletën në vitin 2010. E vetmja skuadër italiane që ka arritur një sukses të tillë.

Interesant është fakti që përballjet mes Roma-s dhe Inter-it kanë prodhuar më shumë gola në Serie A, 511 gola. 38 gola më shumë se çde përballje tjetër.

Në këtë stadium, vendasit kanë humbur vetëm një nga 12 përballjet e fundit me Inter-in. Mourinho, si trajner në Serie A, duke përfshirë edhe kohën kur drejtonte Inter-in, ka humbur vetëm një ndeshje në shtëpi nga 45 në total.

Sfida e fundit e të shtunës në Serie A do të luhet në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Napoli do të përballet me Atalanta-n. Ndeshja do të fillojë nga ora 20:45.

Napoli nuk ka humbur asnjë ndeshje qe nga viti 2016 përballë Atalanta-s, në raundin e parë në Serie A. Në krahun tjetër, Atalanta, ka fituar tre nga pesë përballjet e fundit me napolitanët.

Në shtatë ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi përballë Atalana-s, Napoli ka pësuar minimalisht nga një gol. Skuadra nga Bergamo ka fituar tetë nga nëntë ndeshjet e fundit në transfertë.

Renditja e Serie A:

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore