Lajme

S’e citoi drejtë raportin e Bankës Botërore, Çitaku – Kurtit: Lërini mashtrimet


Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili të dielën përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter” njoftoi se ka pranuar “lëvdata të larta” nga Banka Botërore, ngase sipas tij, shkalla e varfërisë në Kosovë ka rënë.

Çitaku, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ironizoi me kryeministrin Kurti, i cili e s’e citoi drejtë raportin e Bankës Botërore, ku thuhet se Kosova ka bërë progres “gjatë dekadës së shkuar” e jo “krahasuar me para 10 viteve” siç aludoi ai.

“A jeton më mirë një qytetar i Kosovës sot se më parë? A e përballon çmimin e rritur të energjisë elektrike? A arrinë me pagën e njëjtë e pa rritje ta përballojë inflacionin? Ndoshta në universin paralel të Kurtit po. Por në botën reale jo. Leni mashtrimet”, shkroi Çitaku.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj pretendimeve të kryeministrit Kurti, i cili nëpërmjet një postimi në “Facebook”, tha se kreu i ekzekutivit po e pranon që – megjithatë – Kosova është zhvilluar në aspektin ekonomik dhe nuk është varfëruar siç kanë aluduar para ardhjes në pushtet.

“Këtë të vërtetë tani po e pranojnë majtistët në pushtet. Pra, pavarësisht sfidave, Kosova qenka zhvilluar nga ‘regjimet e kaluara” e jo varfëruar, siç bëjnë propagandë mashtruesit. Mashtrimet e opinionit po marrin fund. E vërteta mbizotëron gjithmonë”, shkroi Hoti.

Kosova, sipas Bankës Botërore, gjatë dekadës së fundit, ka shënuar progres të qëndrueshëm ekonomik, me rritje prej afro 50 për qind të të ardhurave për frymë dhe ulje prej 35 për qind të shkallës së varfërisë. Megjithatë, përkundër një dekade progresi, papunësia dhe varfëria mbeten të larta.

“Lëvdata të larta për Kosovën nga Banka Botërore këtë javë. Sipas këtij institucioni – krahasuar me 10 vjet më parë – Kosova ka rritur të ardhurat për frymë për 50 për qind dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35 për qind, duke tejkaluar vendet e ngjashme me të ardhura të ngjashme për frymë”, shkroi Kurti.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore