Kosova

Schmid takon Kurtin: E falënderova për përkushtimin ndaj Procesit të Berlinit


Deputeti gjerman i Bundenstagut, Nils Schmid dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Deputeti gjerman i Bundenstagut, Nils Schmid, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin ka thënë se kanë diskutuar për Kosovën dhe përkushtimin e tij në Procesin e Berlinit.

Takimin e ka bërë të ditur Schmid përmes një cicërime në platformën ‘X’.

“Ballkani Perëndimor i përket BE-së. Në bisedë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe e falënderova për angazhimin e tij të palodhshëm për një Kosovë të lirë dhe demokratike dhe përkushtimin e tij ndaj Procesit të Berlinit”, ka shkruar ai në ‘X’.

Më 23 shkurt, kreu i ekzekutivit përmes llogarisë së tij në Facebook, ka falënderuar deputetet e Kuvendit të Kosovës për mbështetjen që i dhanë tre marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, duke u bërë shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që i ratifikoi ato.

“Falënderues për mbështetjen e secilit deputet dhe secilës deputete. Bashkë, sot dëshmuam se Republika jonë është për bashkëpunim të mirë rajonal dhe për progres dhe ecje të shpejtë në jetësimin e Tregut të Përbashkët Rajonal”, shkroi Kurti.

Qeveria e Kosovës, më 8 shkurt, kishte miratuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, e cila do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Më 3 nëntor, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me fokus raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin filluar ta humbnin durimin me procedurat burokratike të unionit që ngjanin si pengesa pa cak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore