Lajme

Sarrazin takon Kurtin, diskutojnë për Procesin e Berlinit


Manuel Sarrazin dhe Albin Kurti

I deleguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të enjën në mëngjese.

Takimin e ka njoftuar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde përmes një postimi në platformën sociale, X.

“Diskutim i mirë këtë mëngjes midis të dërguarit tonë Manuel Sarrazin dhe kryeministrit Albin Kurti”, ka shkruar Rohde.

Në takim, siç ka njoftuar ambasadori, është diskutuar mbi rrugën përpara për Procesin e Berlinit dhe çështje të tjera aktuale.

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe Kurti përmes një postimi në platformën sociale, X.

“Me Sarrazin diskutuam për bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili këtë vit shënon dhjetëvjetorin e tij”, ka shkruar Kurti.

Në një intervistë për “ABC News Albania”, top-diplomati gjerman javë më parë kishte deklaruar se rruga e Kurtit në dialog mund të mos jetë në interes të Kosovës.

“Rruga nëpër të cilën po ecën qeveria e [Albin] Kurtit në planin afatgjatë, kam frikë se kjo mund të mos jetë e mirë në interesin e Kosovës, për afrimin me Bashkimin Evropian”, ka thënë Manuel Sarrazin.

Deklaratat e diplomatit gjerman kishin ardhur në një kohë kur rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës – rregullore kjo e cila shkaktoi edhe fërkimin e radhës në mes të Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore