Gatimi

Sardele të marinuar, lirë dhe shëndetshëm


Shijoni recetën e sardeleve të freskëta dhe shumë të ushqyeshme! Ato ju pasurojnë me proteina, omega 3, vitaminë D dhe vitaminë B12. Shoqërohen shumë mirë me perime, fasule, oriz, pasta, ose me bukë të thekur, domate dhe sallatë me kaperi.

Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit: 1 kg sardele të vogla, 1 spec djegës, 1/2 spec i kuq, 1/2 spec jeshil, 2 qepë të njoma, 1 qepë e thatë, 4 thelpinj hudhre, 200 ml vaj ulliri, 200 ml uthull, 1 lugë rigon, kripë e trashë, piper, 5 gjethe dafine.

Përgatitja

Pastrojmë sardelet, duke u hequr dhe shtyllën kurrizore.

I vendosim në një shtresë në tavë dhe u hedhim sipër pak kripë të trashë.

Presim në rripa perimet dhe i vendosim mbi sardelet e kriposura. Shtojmë erëzat dhe uthullën (përveç vajit të ullirit). I vendosim në frigorifer dhe i lëmë për 3 orë.

I kullojmë, i vëmë në një enë tjetër dhe shtojmë vajin e ullirit. I vendosim sërish në frigorifer.

Pas 24 orësh sardelet e marinuara janë gati. Para se t’i konsumojmë, duhet t’i lëmë rreth 15 minuta në temperaturë dhome, në mënyrë që vaji i ullirit të shkrijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore