Kosova

Sanksionet, Gjermania zvogëlon bashkëpunimin në fushën e sigurisë me FSK-në – “Mund të ndalohet shitja e armëve dhe shkollimi i kadetëve”


Forca e Sigurisë së Kosovës

Pas përjashtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga “Defender Europe 2023” prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, meqë kryeministri Albin Kurti, ka refuzuar planin tre-pikësh për de-eskalim të situatën në Veri, edhe Qeveria e Gjermanisë ka konfirmuar për Albanian Post se ka vendosur të zvogëlojë bashkëpunimin me Kosovën, duke përfshirë sektorin e sigurisë.

Nga ambasada e Gjermanisë thanë për AP se të gjitha projektet e anuluara mund të fillohen vetëm pas de-eskalimit në Veri dhe “masave të nevojshme” për ta qetësuar situatën atje.

“BE-ja paralajmëroi masa për kufizimin e bashkëpunimit me Kosovën në fusha të ndryshme në rast se qeveria e Kosovës nuk do të merrte masat përkatëse për de-eskalim. Në përputhje me këto politika, edhe Qeveria e Gjermanisë ka vendosur të zvogëlojë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën, duke përfshirë edhe sektorin e sigurisë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së Gjermanisë.

Po ashtu në përgjigje theksohet se Gjermania mbështet “në mënyrë eksplicite” përpjekjet e BE-së dhe punën e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, si dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Mund të ndalohet edhe shitja e armëve dhe shkollimi i kadetëve të FSK-së”

Për ish-eprorin e FSK-së, Hysen Gecajn, bëhet fjalë për konkretizim të masave me ndalimin e pjesëmarrjes së pjesëtarëve të FSK-së në trajnime të rëndësishme, siç është trajnimi për zhvillimin e karrierës është një dëm shtesë që i bëhet rritjes të kapaciteteve të sigurisë së Kosovës.

Ushtaraku Gecaj “ngre alarmin” se sanksionet nga Gjermania mund të zgjerohen me masa edhe për sa i përket Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimin me AKI-në gjë që është një plagë në sigurinë e vendit duke pasur parasysh asetet që Gjermania mund t’i ofrojë Kosovës.

“Ka rrezik që varësisht nga zhvillimet politike në Kosovë, këto sanksione të zgjerohen sidomos karshi FSK-së, sepse ky është aseti më i çmuar të cilin Kosova ka tani”, tha ai.

Hysen Gecaj

“Besoj që Gjermania e ka kuptuar se kosovarët janë të ndjeshëm kur bëhet fjalë për FSK-në e cila edhe nga ana e Qeverisë është prezantuar si një projekt i saj i suksesshëm, prandaj edhe goditja me masa është orientuar në FSK-në”.

Ish-ushtaraku ka theksuar se dëmet që po i bëhen FSK nuk janë as të përkohshme as të riparueshme, “sepse ajo çka u humb dhe çka mund të humbet do të ketë pasoja afatgjata”.

“Sanksionet tjera që mund t’i vihen FSK-së janë edhe ndalimi i shkollimit të kadetëve të FSK-së në akademitë ushtarake ku tani shkollohen oficerët dhe nënoficerët tanë, si dhe ndalimi i blerjes së armatimeve”, shtoi ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, mendon se FSK-ja mund të marr stopime tjera që mund të reflektohen tutje në procesin e saj për përmbushjen e kritereve për hyrje në programin për partneritet për paqe, “i cili është kusht primar për hyrjen në fazën finale të procesit të anëtarësimit të FSK-së në NATO”.

“I gjithë ky proces është duke u varur nga qëndrimet politike të qeverisë aktuale në raport me veriun dhe prishjen e raporteve me faktorin ndërkombëtar, me theks te veçantë ShBA-në dhe Gjermaninë”, potencoi ai për AP.

Shala, shtoi se pas përjashtimit të Kosovës nga “Defender 23”, ministri i Mbrojtës, Armend Mehaj, do duhej të dorëhiqej.

Drizan Shala

“Ai do duhej të jepte dorëheqje si pasojë e përjashtimit të FSK nga Defender 23. Por, shihet që ministri nuk ka vullnet politik për një veprim të tillë”, vuri në pah Shala.

Ndërsa, për shkak të mos de-eskalimit të situatës në Veri, sipas Shalës është cenuar siguria kombëtare.

Pse u përjashtua Kosova nga “Defender Europe 2023”?

Kosova ishte nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, që pritej të mbahej nga 2 qershori, para se të përjashtohej nga ShBA-ja më 30 maj.

Kjo stërvitje e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s bëhet çdo vit, në shkallë të gjerë dhe drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kjo stërvitje e përbashkët, shtetet krijojnë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes SHBA-ve, NATO-s dhe vendeve aleate.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje ushtarake për herë të parë ishte bërë në vitin 2021, ndërsa rëndësia e kësaj stërvitje për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), është e shumëfishtë e njëra ndër to është edhe ndërtimi i mëtejmë i besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas përjashtimit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ambasadori shprehu keqardhje, derisa pati thënë se “kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”.

Se rëndësia e “Defender Europe 2023”, ishte e shumëfishte e kishte thënë edhe shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci, njëherësh edhe këshilltar i sigurisë së kryeministrit dhe këshilltar ushtarak i ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj në një intervistë për Albanian Post.

Maqedonci, madje kishte pohuar se kjo do të ndërtonte besimin e mëtejmë të besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore