Shqipëria

Saga “Llalla” – drejt fundit?


E enjtja e 9 shtatorit do ta gjejë ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla përballë trupës gjykuese të Gjykatës së Posaçme të Apelit në Shqipëri.

Aty, Llalla ka apeluar vendimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila e ka dënuar atë “me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga çdo post dhe funksion publik”.

Më 30 korrik të vitit 2021, në GJKKO u shty sërish seanca.

Në atë kohë nuk u bë e ditur nëse ai do të shpallej i pafajshëm, apo do të shkonte në burg për të kryer dënimin.

Shkak u bë mungesa e ish-kryeprokurorit dhe avokatit të tij mbrojtës, Sokol Hazizaj.

Ky i fundit e arsyetoi mosparaqitjen e tij me “gjendjen shëndetësore”, ndërsa Llalla nuk dha asnjë arsye.

Më herët, më 16 korrik, po avokati i tij mbrojtës u bë shkak për shtyrjen e seancës, këtë herë “mungoi pa arsye”, për çka u gjobit me një vlerë prej 20 mijë lekësh.

Ekspertët ligjorë shpjegojnë për Albanian Post se nga praktika e tyre, ka një sërë çështjesh të mbetura pezull për shkak të mungesës së avokatëve në seancat gjyqësore.

“Duke qenë se në Kushtetutën e Shqipërisë shkruhet se e drejta e mbrojtjes me avokat është detyrim, asnjë Gjykatë nuk e vijon dot seancën”, thonë ekspertët.

Më tej, ata theksojnë se zgjidhja arrihet vetëm “me bashkëpunimin ndërinstitucional mes Gjykatës dhe Dhomës së Avokatësisë”.

Për sa më sipër, GJKKO, përcakton avokatët mbrojtës nga shteti, për të mos pasur më shtyrje seancash.

Kështu, për të shmangur zvarritjet e sagës “Llala”, GJKKO-ja caktoi si avokat mbrojtjes së tij, Gentiana Qendron.

Seanca e sotme (9 shtator), pritet të jetë përfundimtarja.

Nëse Gjykata lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, Llalla do të prangoset në sallën e gjyqit.

Në këtë mënyrë, vendimi i SPAK-ut bëhet i zbatueshëm.

Akuzat ndaj Llallës

Do të ishte Prokuroria e Durrësit, ajo që do të regjistronte procedimin e parë penal për ish-kryeprokurorin Llalla.

Në mars të 2018-ës, mbi të do të rëndonin katër akuza.

E para ishte ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale, më pas e shpërdorimit të detyrës, mosdeklarimit të të ardhurave, si dhe mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi.

Më pas, u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda dhe SPAK. Ai u akuzua nga SPAK-u për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Ish-prokurori u gjykua për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit. Ky vendim erdhi pas një kërkese të SPAK-ut.

Në përfundim të hetimit, SPAK vlerësoi se, ndaj tij, provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.

Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vettingu-t.

Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë non grata, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore