Lajme

Sa shumë ka ndryshuar Kievi, thotë von der Leyen pas vizitës së tretë në Ukrainë


Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po e viziton Kievin për të tretën herë – më së shumti ndër të gjithë zyrtarët e lartë evropianë.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, ajo ka bërë me dije se ndodhet në kryeqytetin ukrainas, do të zhvillojë takime me presidentin Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin Denys Shmyhal.

“Kaq shumë ka ndryshuar”, shkruan von der Leyen në publikimin e saj. “Ukraina sot është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

Ajo ka bërë me dije se do të diskutojë me dy zyrtarët e lartë ukrainas mbi rrugën që vendi duhet të ndjekë për të zhvilluar ekonominë dhe për t’i sjellë njerëzit më pranë progresionit që BE-ja pret.

Vetë Ukraina, ka nisur së fundmi një kundërofensivë në lindje të vendit, ku ka rimarrë mbrapsht 6 mijë kilometra katrorë nga zonat e uzurpuara prej rusëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore