Lajme

Rusia thërret sërish seancë të Këshillit të Sigurimit për Kosovën


Ilustrim

Rusia ka kërkuar sërish seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për 25-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të aleatëve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), pas dështimit që të nxisë debat seancën e kaluar, raportoi agjencia ruse e lajmeve të mërkurën.

Kjo seancë pritet të mbahet të premten (28 mars) në orën 15:00 në bazë të kohës lokale në New York të Shteteve të Bashkuara të (SHBA), ku ndodhet selia e OKB-së, raportoi agjencia ruse duke cituar deklaratën e zëvendëspërfaqësuesit të parë të Rusisë, Dmitry Polyansky, i cili akuzoi shtetet perëndimore për shmangie të debatit mbi “agresionin” e NATO-s.

“Nëse mendoni se diplomacia ruse heq dorë kaq lehtë, nuk do të ndodhë kështu – ky nuk është stili ynë. Ne përsëri kërkuam mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për agresionin e NATO-s. Japonia caktoi seancë për në orën 15:00 më 28 mars edhe pas rezistencës së fortë të kundërshtarëve tanë”.

“Por 28 marsi do të jetë sërish një mundësi e mirë për të ekspozuar para kamerave justifikimet llafazane të kolegëve perëndimorë se agresioni i NATO-s kundër Jugosllavisë i përket të shkuarës, të cilën ata ëndërrojnë ta varrosin sa më thellë në histori. Le ta kuptojnë se do të duhet të mbajnë përgjegjësi për gjithçka”, shtoi ndër të tjera zëvendëspërfaqësuesi rus.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 25 mars, propozimi i Rusisë për të diskutuar mbi bombardimet e NATO-s – një tentativë për të ngritur paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë dhe luftës agresive të Rusisë në Ukrainë – nuk u përfshi në rendin e ditës sepse vetëm Algjeria dhe Kina votuan pro.

Ndërhyrja ushtarake në Kosovë konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që aleanca ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Wesley Clark, gjenerali amerikan dhe komandanti i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, udhëhoqi sulmet ajrore që zgjatën plot 78 ditë.

Më 24 mars u bënë një çerek shekulli nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë transatlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO ndërhyn në një territor sovran pa pasur mandat të Këshillit të Sigurimit.

Ndryshe, ndërhyrja humanitare dhe ushtarake e NATO-s në vitin 1999 shkaktoi një debat të madh ndërkombëtar dhe një ndarje ndërjmet fuqive të mëdha perëndimore dhe Rusisë. Megjithatë, pavarësisht rezistencës nga Serbia, Rusia, Kina e India, shqiptarët e Kosovës fituan njohjen nga të gjitha fuqitë perëndimore dhe nga një dyzinë vendesh të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore