Lajme

Rusia dëshiron të “rindërtojë” Mariupol-in brenda vitit 2040


Sipas dokumentit të inteligjencës ukrainase, Kremlin-i zyrtar ka planifikuar të rindërtojë Mariupol-in e pushtuar të rajonit të Donetsk në tre faza – nga fundi i vitit 2022, në 2023 dhe në 2025 e deri në vitin 2040.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase, duke iu referuar dokumentit të siguruar nga burime në një nga agjencitë e inteligjencës të Ukrainës.

“Rimëkëmbja” e Mariupol-it të pushtuar dëshmohet nga “Koncepti i masterplanit për zhvillimin e qytetit” i krijuar nga Ministria e Ndërtimit dhe Strehimit dhe Çështjeve Komunale të Federatës Ruse.

Sipas dokumentit, detyra në fazën e parë është rivendosja e infrastrukturës jetike, si dhe “vëmendje e veçantë i kushtohet zonës së varrezave”, për të cilën rekomandohet përdorimi i territorit të aeroportit.

Deri në vitin 2025 është planifikuar “ndërtimi i banesave, restaurimi dhe zhvillimi i infrastrukturës inxhinierike dhe transportit”.

Deri në vitin 2040, qeveria ruse dëshiron të sigurojë “efikasitetin buxhetor dhe vetë-mjaftueshmërinë ekonomike të territoreve të qytetit”.

Deklarohet gjithashtu ndërtimi i hekurudhës Volnovakha-Mariupol dhe formimi i një “korridori transporti ndërkombëtar”, domethënë një autostradë përmes Mariupol-it për në Krime dhe Odesa-n e aneksuar.

Sa i përket “Azovstal-it”, “koncepti” përshkruan katër opsione – rifillimin e prodhimit, krijimin e një lloj platforme sociale dhe biznesi dhe dy skenarë për ndërtimin e një parku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore