Sport

Rudiger-i pranë kalimit te United, falë njohjeve të Ralf Rangnick-ut


Qendërmbrojtësi i Chelsea-t, Antonio Rudiger-i, është duke luajtur sezonin e fundit me blutë, në bazë të kontratës që ka në fuqi. Kontratë e cila përfundon në qershor 2022 dhe nuk ka ende sinjale për rinovimin e saj.

Për shërbimet e Rudiger-it janë vënë në garë shumë klube të medha evropiane mes të cilave: Real Madrid-i, PSG-ja dhe Bayern Munich-u. Por, tashmë duket se garën po e prinë një tjetër klub.

Manchester United, thuhet sipas britanikes “Daily Mail”, se po udhëheq garën për transferimin e gjermanit. Dhe kjo jo rastësisht. Trajneri i ri i United, gjermani Ralf Rangnick-u ka njohje të vjetra me agjentin e 28-vjeçarit.

Sahr Senesie është agjenti dhe vëllai i Rudiger-it. Ai ka lidhje me Rangnick-un që nga koha kur ky i fundit ishte pjesë e RB Leipzig-ut.

Kushti që ka mbrojtësi është një kontratë me 200 mijë paund në javë. Aktualisht, Chelsea i ka ofruar deri në 140 mijë. Te United nuk besohet se do të jetë problem kjo shumë, sidomos kur pritet të largohet Paul Pogba, paga e të cilet është ndër më të lartat në klub.

United aktualisht ka katër qendërmbrojtës në dispozicion: Raphael Varane-n, Victor Lindelof-in, Eric Bailly-n dhe 80 milione paundeshin Harry Maguire-n.

Rudiger-i ka qenë edhe më herët gati për t’u larguar nga “Stamford Brigde”, por ardhja dhe garancia e Thomas Tuchel-it e mbajti te Chelsea.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore