Lajme

RTK-ja gjobitet sërish: Inspektorati i Punës e dënon me 4 mijë e 900 euro


Ilustrim/RTK

Inspektorati i Punës e ka dënuar Radio Televizionin e Kosovës me 4 mijë e 900 euro dhe drejtorin gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj, me 500 euro për shkak të shkeljes së ligjit të punës dhe rregulloreve të RTK-së.

Ky dënim, sipas një njoftimi të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, ka ardhur për shkak të shkeljes së ligjit të punës “me rastin e degradimit të Udhëheqësit të departamentit të Marketingut, për mos zbatim të vendimit të IP-së si dhe për mospërfilljen e zbatimit të dispozitave të ligjit të punës”.

Sindikata bëri të ditur se në vendimin e Inspektoratit të Punës thuhet se ankesa eventuale nuk e shtynë ekzekutimin ndërsa njoftohet se RTK-ja obligohet që gjobën e shqiptuar ta paguajë në afat prej 80 ditësh nga dita e pranimit të vendimit.

SPRTK ka kërkuar nga Bordi i RTK-së si dhe nga Kuvendi i Kosovës që të reagojnë me urgjencë për shkak se sipas tyre, nëse vazhdohet me këtë trend të paligjshmërive dhe gjobave, funksionimi i Transmetuesit Publik do të rrezikohet seriozisht.

Ndryshe, kjo është gjoba e dytë brenda një muaji që i shqiptohet RTK-së nga Inspektorati i Punës. Më 14 shkurt gjobitën me tre mijë euro RTK-në për rastin e degradimit në pozitë të Fadil Hoxhës, kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, në fund të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore