Sport

Rritja e çmimeve për finalen e Conference League, reagon Autoriteti i Konkurrencës: Shkelësit do ndëshkohen


Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit që kanë bërë bujë në media, ku shumë hotele, kryesisht në Tiranë, kanë ngritur ndjeshëm çmimet për finalen e UEFA Conference League.

Ndeshja finale do të zhvillohet në “Air Albania”, më 25 maj, dhe pritet të vijnë shumë tifozë nga Italia dhe Holanda, pasi Roma dhe Feyenoord-i përballen për trofeun.

Autoriteti bën me dije se të gjithë ato struktura që do të ngrenë çmimet për të përfituar nga ndeshja do të ndëshkohen me gjoba.

(Photo by FABRICE COFFRINI/AFP via Getty Images)

Njoftimi i plotë:

“Nisur nga disa informacione shqetësuese në media në lidhje me rritjen e menjëhershme të çmimeve nga ana e ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e hotelerisë apo akomodime të tjera të ngjashme në qytetin e Tiranës, në kuadër të ndeshjes finale të Ligës së Konferencës midis skuadrave Roma-Feyenoord, e cila do të zhvillohet në Tiranë në datën 25 maj 2022, Autoriteti i Konkurrencës vendosi monitorimin e këtij tregu.

Nga monitorimi i platformave online që ofrojnë rezervime ambientesh fjetje si dhe nga monitorime në terren u identifikuan çmime tepër të larta për datat 23-25 maj 2022, krahasuar me periudha të tjera të vitit.

Autoriteti i Konkurrencës iu kërkon ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e  fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme në qytetin e Tiranës:

-të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, të orientuara drejt kostos;

-të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta.

Autoriteti i Konkurrencës iu bën me dije ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e  fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme  në qytetin e Tiranës që, nëse në përfundim të hetimit rezulton se rritja në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar e çmimit të shërbimit të fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme do të gjendet në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, shkelësit e ligjit do të ndëshkohen me gjoba deri ne 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore