Lajme

Reuters: Bashkimi Evropian ka dështuar në mbajtjen e premtimeve


Liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor nga samiti në Slloveni.

Pas disa javësh me diskutime, udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të pajtohen për një deklaratë të samitit, me të cilën do të riparaqitet premtimi 18 vjet i vjetër për anëtarësimin e Kosovës, Shqiperisë, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë, nëse ato i përmbushin kriteret shkruan Reuters.

Mirëpo, me procesin e zgjerimit të bllokuar nga mosmarrëveshje të ndryshme edhe në Bruksel, edhe në rajon, shumë figurave në Ballkan u duket se deklarata e BE-së është diçka boshe.

Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, e kundërshtoi këtë.

“Mesazhi është që Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian. I dëshirojmë ata në Bashkimin Evropian. Ne jemi një familje evropiane”, tha von der Leyen para gazetarëve me të arritur në samitin me udhëheqësit ballkanikë në Slloveni.

Zyrtarja e lartë e BE-së theksoi se ne i ndajmë historitë e njëjta.

“E ndajmë historinë e njëjtë. I ndajmë vlerat e njëjta dhe jam thellësisht e bindur se e ndajmë fatin e njëjtë, gjithashtu”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që po merr pjesë në Samitin në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, punimet e të cilit kanë nisur këtë të mërkurë në Brdo të Sllovenisë, ka deklaruar se Kosovës i është bërë një padrejtësi e madhe nga BE-ja për mos liberalizim të vizave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në samitin në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenis

Por megjithatë ai shpreson se Unioni do të mbajë fjalën e dhënë për këtë.

“Kanë kaluar më shumë se tre vite që kur Komisioni Europian për të dytën herë rekomandoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe është bërë një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve tonë që vuajtën shumë”, ka deklaruar Kurti.

“Ne jemi me shpresë që ky samit do të bëjë BE-në të qëndrojë besnike në thelbin e saj dhe ky është zgjerimi si projekti më i rëndësishëm politik dhe proces historik i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka shtuar ai.

Sipas Kurtit, pa Ballkanin Perëndimor nuk ka Evropë.

BE-ja duhet të vazhdojë zgjerimin që të bëhet Evropë. Dhe gjashtë vendet e Ballkanit është ajo që i mungon BE-së për t’u bërë tamam Evropë. Ne jemi Evropa, por BE-ja duhet të bëhet Evropë.

Ndërkaq, Kurti pritet të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Sipas gazetës opozitare serbe Danas, Kurti me Vuçiç do të takohen në pauzën mes dy sesioneve të samitit dhe se prezent në të do të jenë edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Samiti në Bërdo orgnizohet nga presidenca sllovene e BE-së.

Ky samit është pjesë e strategjisë së BE-së për angazhim me Ballkanin Perëndimor që është në linjë me Agjendën Strategjike 2019-2024 dhe mbahet pas Samitit të Sofjes më 2020 dhe atij të Zagrebit, që u mbajt përmes video-konferencës për shkak të pandemisë COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore