Lajme

Kurti në Slloveni: BE-ja na ka bërë padrejtësi të madhe


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në samitin në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenis

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që po merr pjesë në Samitin në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, punimet e të cilit kanë nisur këtë të mërkurë në Brdo të Sllovenisë, ka deklaruar se Kosovës i është bërë një padrejtësi e madhe nga BE-ja për mos liberalizim të vizave.

Por megjithatë ai shpreson se Unioni do të mbajë fjalën e dhënë për këtë.

“Kanë kaluar më shumë se tre vite që kur Komisioni Europian për të dytën herë rekomandoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe është bërë një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve tonë që vuajtën shumë”, ka deklaruar Kurti.

“Ne jemi me shpresë që ky samit do të bëjë BE-në të qëndrojë besnike në thelbin e saj dhe ky është zgjerimi si projekti më i rëndësishëm politik dhe proces historik i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka shtuar ai.

Sipas Kurtit, pa Ballkanin Perëndimor nuk ka Evropë.

BE-ja duhet të vazhdojë zgjerimin që të bëhet Evropë. Dhe gjashtë vendet e Ballkanit është ajo që i mungon BE-së për t’u bërë tamam Evropë. Ne jemi Evropa, por BE-ja duhet të bëhet Evropë.

Fotoja familjare në mes të burrështetasve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sllovenisë

Kryeqeveritari ka folur edhe për pesëshen mosnjohëse të BE-së, të cilat i ftoi t’i bashkohen vendeve të tjera të BE-së për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

“Shpresoj që së shpejti ato pesë vende do ti bashkohen vendeve që na kanë njohur. Unë avokoj për mungesën e frikës nga BE-ja dhe hidhërimin nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

I pyetur nga gazetaret se a ka ndonjë mundësi që Kosova të kthehet kah Rusia dhe Kina në politikën e saj të jashtme, Kurti e ka mohuar një gjë të tillë.

“Natyrisht që jo. Ne asnjëherë nuk e kemi marrë as edhe një vaksinë të vetme nga Rusia ose Kina. BE-ja është fati jonë dhe Evropa është kontinenti jonë”, ka përfunduar ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore