Kosova

Kurti në Slloveni takon Vuçiçin, në takim prezent Merkel dhe Macron


Ilustrim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili është pjesëmarrës në Samitin në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, punimet e të cilit kanë nisur këtë të mërkurë në Brdo të Sllovenisë, ka takuar Presdientin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Sipas gazetës opozitare serbe Danas, Kurti me Vuçiç do të takohen në pauzën mes dy sesioneve të samitit dhe se prezent në të do të jenë edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

“Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova nuk e njeh Serbinë, dhe ne kemi nevojë për njohje reciproke, sepse kjo do të sjellë paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë,” ka deklaruar Kurti.

Pas përfundimit të takimit Kryeqeveritari, Kurti, përmesë një postimi në Twitter ka treguar se cilat ishin temat të cilët janë diskutuar me presidentin serb.

“Në takimin me kancelaren Angela Merkel, presidentin Emmanuel Macron dhe presidentin e Serbisë ne folëm për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit e fundit”, ka shkruar ai në Twitter.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në samitin në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenisë

Kryeqeveritari Kurti, nga Sllovenia ka thënë se Kosovës i është bërë një padrejtësi e madhe nga BE-ja për mos liberalizim të vizave.

Por megjithatë ai shpreson se Unioni do të mbajë fjalën e dhënë për këtë.

“Kanë kaluar më shumë se tre vite që kur Komisioni Europian për të dytën herë rekomandoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe është bërë një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve tonë që vuajtën shumë”, ka deklaruar Kurti.

“Ne jemi me shpresë që ky samit do të bëjë BE-në të qëndrojë besnike në thelbin e saj dhe ky është zgjerimi si projekti më i rëndësishëm politik dhe proces historik i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore