Lajme

Rënia e turizmit rus në vitin 2022 për shkak të sanksioneve


Numri i turistëve në Rusi në vitin 2022 ra me 96.1 për qind për shkak të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura pas fillimit të ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë, njoftuan përfaqësues të këtij sektori.

Sipas Shoqatës së Operatorëve Turistikë Ruse, e cila i referohet të dhënave nga shërbimi kufitar rus, vetëm 200 mijë e 100 turistë të huaj hynë në Rusi vitin e kaluar, dukshëm më pak se në periudhën para pandemisë kur ky numër ishte më shumë se pesë milionë, raportoi Beta, duke cituar agjencinë AFP.

“Arsyet janë të dukshme – hapësira e mbyllur ajrore mes Rusisë dhe shumicës dërrmuese të vendeve evropiane, si dhe pamundësia e përdorimit të kartave Visa dhe Mastercard të lëshuara nga bankat e huaja në Rusi”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës pothuajse një vit më parë, Evropa pothuajse plotësisht mbylli hapësirën e saj ajrore për avionët rusë.

Në fillim të marsit 2022, Aeroflot-i rus madje njoftoi pezullimin e fluturimeve të saj ndërkombëtare për një kohë.

Numri i turistëve të huaj në Rusi në vitin 2022 ishte dukshëm më i ulët se nivelet e regjistruara në vitin 2020 (335 mijë e 800 persona) dhe 2021 (288 mijë e 300), dy vite të shënuara nga kufizime të rënda të udhëtimit të lidhura me pandeminë në të gjithë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore