Lajme

Refuzohen apelet e Thaçit dhe Veselit lidhur me vendimin për ndryshimin e aktakuzës


Dhomat e Apelit në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë kanë refuzuar apelet e mbrojtjes së ish udhëheqësit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, si dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veselit.

Ankesa e mbrojtjes ishte parashtruar më 21 shkurt 2022, kundër vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake të marrë më 23 dhjetor 2021.

“Më 22 mars 2022, Paneli i Gjykatës së Apelit i refuzoi apelet e Thaçit dhe Veselit, të dorëzuara më 21 shkurt 2022, kundër vendimit të Gjykatësit të Procedurës Paraprake, të datës 23 dhjetor 2021, me të cilin e lejoi ZPS-në që të ndryshojë pjesërisht aktakuzën në këtë çështje”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’)”.

“Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore