Lajme

Reagon edhe Haradinaj pas shkrimit të Albanian Post: Qytetarët e Kosovës duhet të jenë brenda një sistemi energjetik, pavarësisht etnisë


Ramush Haradinaj

“Të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë, duhet të jenë të përfshirë në një sistem unik energjetik dhe t’i respektojnë rregullat e tregut”, ka shkruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në llogarinë e tij në Facebook, pas publikimit të shkrimit nga Albanian Post, ku flitet për marrëveshjen që po provohet të arrihet në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, marrëveshje të cilën qeveria e ka mbajtur të fshehur nga publiku.

Shkrimi me titull “Marrëveshja që po mbahet e fshehur: Kosova mund ta humbë pavarësinë energjetike – futet krejtësisht në kontrollin e operatorëve serbë”, i publikuar nga AP flet për dakordimin eventual në Bruksel ku operatorë serbë futen në tregun energjetik të Kosovës në pjesën veriore.

Shkrimit i ka reaguar edhe zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, por vetëm duke u argumentuar se ata po nënshkruajnë të njëjtën marrëveshje që u arrit në vitin 2015. Marrëveshje që vetë e kishin kritikuar më parë.

Por, Haradinaj shkruan se “Kosovës ia siguruam pavarësinë energjetike që vite më parë dhe kjo falë përpjekjeve të vazhdueshme dhe aspak të lehta. Prandaj, qeveria e tanishme i ka pasur të gjitha predispozitat që nga fillimi i mandatit të saj, të përfshijë qytetarët e veriut të vendit, në sistemin energjetik të Kosovës, njëherësh që ata të paguajnë për shërbimet që i gëzojnë”.

“Për këto arsye, çdo shtyrje e zbatimit të kësaj normative, jo vetëm që është e vonuar por edhe me kosto të papërballueshme. Çështjet teknike administrative nuk duhet të shndërrohen në probleme politike”.

Por, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur që ta shtrijë sovranitetin në veri dhe rrjedhimisht KEDS-it nuk i është garantuar asnjëherë operim në atë pjesë.

Në anën tjetër, Kosova nuk guxon që të mos ua paguajë rrymën qytetarëve në Veri dhe shpenzon çdo vit miliona euro.

Për të kuptuar problemin me energjinë në Veri lexojeni shkrimin “Marrëveshja që po mbahet e fshehur: Kosova mund ta humbë pavarësinë energjetike – futet krejtësisht në kontrollin e operatorëve serbë”.

Nesër, e martë, 14 qershor, publikohet pjesa e dytë e tekstit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore