Lajme

Rashiç për Haradinajn: Dikur e quante mik të shtëpisë Radojeçiç-in


Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, i është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për zëvendësin e tij Radoica Radomiroviç, për të cilin u raportua se ka qenë pjesë e ushtrisë serbe gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka theksuar se është “i dëshpëruar me kritikat e opozitës”, derisa ka hedhur akuza ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se ky i fundit dikur e quante “mik të shtëpisë kriminelin Milan Radojeçiç”.

“Më shumë kam investuar unë në institucionet e Kosovës se disa kolegë të mi shqiptarë. Shokët të mi nga opozita mos të harrojnë se ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Radojeçiçin e kam mik të shtëpisë”, tha Rashiç gjatë një interviste në T7.

“Unë e di opozita ka drejt ta kritikojë pushtetin, por kritika duhet të jetë njerëzore, pasi disa janë kundër integrimit të Kosovës, ose janë për shkëmbim territoresh dhe ndarje”.

Po ashtu Rashiç theksoi se nuk pajtohet me kryeministrin Albin Kurti që mënyra më e duhur për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në Veri është peticioni.

“Unë e di që kjo mënyrë është ligjore dhe vlerësoj përpjekjet kryeministrit Kurti. Më normale kish qenë që kryetarët të japim dorëheqje”, shtoi ai.

“Unë e respektoj kryeministrin sepse do ta respektoj ligjin. Unë jam më shumë lokalist dhe e shikoj nga këndi i bashkëqytetareve tanë në Veri”.

Kur pyetet për diskutimet me Kurtin për çështjen e zgjedhjeve në Veri, Rashiç thotë se diskuton vazhdimisht me kryeministrin, por ndodh që herë pas herë nuk merr fare përgjigje.

“Ne flasim me kryeministrin kur takohemi, kur pajtohet tregon dhe kur nuk pajtohet tregon, por ka momente edhe kur hesht, kur nuk ka asnjë përgjigje. Nuk thotë as po as jo, por prapë është vendimi i kryeministrit”, ka treguar ai.

Megjithatë, Rashiç insiston se “nuk do dorëzohet dhe do jetë këmbëngulës” që ta bind kryeministrin që zgjedhjet në Veri të mbahen pasi kryetarët të japin dorëheqje.

“Nëse kishim pas zgjedhje tash Lista Serbe nuk do kishim marr fare pjesë në zgjedhje, por ka grupacione të ndryshme të cilat do kishim marr pjesë në zgjedhje. Por, nuk jam i sigurt nëse shkojmë me mënyrën siç po kërkon kryeministri”, potencoi Rashiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore