Shqipëria

Rama dorëzon bllokun e dytë të banesave në Kavajë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paraditen e 29 marsit ka dorëzuar banesat e radhës në qytetin e Kavajës, si pjesë e procesit të rindërtimit pas shkatërrimit të tyre nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Sot dorëzojmë edhe 206 banesat e bllokut të dytë, pas bllokut të parë të pallateve, ku 153 familje hynë në shtëpi të re këtë vit të ri”, tha Rama në fjalën e tij.

Kreu i qeverisë nuk i kurseu as batutat për situatën në të cilën gjendet Partia Demokratike, duke u shprehur se, “bravat janë të lira, kujdes se mos jua bllokojnë nga ana tjetër prapë”.

Megjithatë, “përtej shakave, ky është një program që nuk bën dallim majtas apo djathtas. Sot këtu krijohet një zonë e dytë e një lagjeje të re”, theksoi Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri u shpreh se blloku i pallateve në Laç është ndërtuar falë ndihmës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ndërsa çdo rindërtim tjetër është bërë 100% nga buxheti shqiptar. Kjo pasi donarët nuk financojnë shtëpi sipas tij, ku përjashtoi Erdogan-in dhe Princin e Kurorës. Këta të fundit i quajti “miq të shtrenjtë”.

“Fondet e siguruara nga donarët jane fonde që përdoren prej tyre, më i madhi ka qenë ai i Bashkimit Evropian, i cili po vazhdon fazën e dytë të projektit të rindërtimit të shkollave, faza e parë është kryer me buxhetin e shtetit”, vijoi Rama.

Sipas Ramës, shqetësimi i i qeverisë shqiptare ka qenë që puna të kryhej në “kohë rekord që asnjë familje të mbeste jashtë”.

“Shtëpitë i ka pas detyrë qeveria shqiptare. Deri në fund i kemi dalë për zot për të mos qëndruar jashtë asnjë familje”, theksoi Rama.

Sakaq, Rama shtoi se çdo kompanie ndërtimi i duhet minimumi dy vite për të ndërtuar një pallat dhe pavarësisht se në mes na hyri pandemia dhe pati bllokim kontejnerësh , “prapë nuk u ndalëm”.

Pavarësisht dy fatkeqësive që u prek qeveria e Ramës në mandatin e dytë, gjatë të tretit ajo po kalon edhe “krizën energjetike të shoqëruar me një luftë që po zhvillohet në Evropë”.

“Kjo prek të gjithë vendet, dhe çmimet vijnë këtu si pasojë, por unë jam u bindur se këtë do ta kapërcejmë. Të gjitha këto do të duhet t’i përballojmë së bashku”, e përmbylli numri një i qeverisë.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të pakthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu, pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën dhe disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore