Shqipëria

524 familje marrin banesat në Laç, Rama falënderon qeverinë turke dhe Emiratet


524 familje janë kthyer në shtëpitë e rindërtuara, në qytetin e Laçit, pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit të 2019-s.

Ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, që iu kanë dorëzuar çelësat e shtëpive të reja, 524 familjeve në Laç.

Si fillim, Rama bëri të qartë se ndërtimi i kësaj lagje në Laç është financim i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe kujdesi i tij i drejtpërdrejtë, duke vënë në dispozicion “të gjithë forcën e miqësisë dhe solidaritetit”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Ashtu sikundër dhe Princi i Kurorës, i cili ka financuar një tjetër lagje model që do të ndërtohet në Spitallë, Durrës”, tha kryeministri ndërsa sqaroi se “këto janë forcat e solidariteti që kemi pasur n krahë në programin e rindërtimit”.

Ndërsa Ahmetaj deklaroi dhe shifrën totale të familjeve që kanë përfituar banesa të rindërtuara, pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“49 mijë familje shqiptarë që kanë përfituar nga programet e rindërtimit dhe 1 mijë e 347 mijë njësi individuale të dorëzuar. Pra familje që kanë hyrë në shtëpitë individuale”, bëri të ditur ai.

Janë edhe 808 apartamente të dorëzuar, sipas ministrit.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj

Kurse kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara, tha se ka filluar ndërtimi i 225 shtëpive private, ndërsa 218 familje kanë tërhequr grantin e po i ndërtojnë vetë në truallin e tyre.

Ajo nuk harroi të shtonte se 13 banesa po ndërtohen nga Caritas Albania.

Kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara.

Gjithashtu vuri në dukje dhe ndërtimin e gjashtë shkollave dhe kopshteve në Kurbin dhe pesë prej tyre që janë akoma në proces ndërtimi.

Cara bëri të ditur se me Spitalin e Kurbinit dhe godinën e Bashkisë së Kurbinit, “po ecet me ritme të shpejta”.

Më 9 dhjetor, Këshilli i Ministrave mori vendimin për të shtuar 7 miliardë lekë për “Programin e Rindërtimit”.

Këtë lajm e bëri të ditur fill pas mbledhjes ministri i Shtetit për Rindërtimin njëkohësisht edhe zëvëndëskryeministri, Arben Ahmetaj.

“Ritheksoj se programi i rindërtimit ka vetëm 35 miliardë, kjo me të njëjtën logjikë për shpejtimin e rikthimit të familjeve në shtëpi”.

Ai bëri me dije se synohet rikthimi në shtëpi për një numër të konsiderueshëm familjesh në Thumanë, Durrës, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë, Kurbin dhe Manzë.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të pakthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën dhe disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Në total për t’u riparuar ishin 242 pallate, ku më të dëmtuarat ishin në Shijak, duke u ndjekur nga Kurbini, Durrësi, Kamëz, Kavaja, Vora, Kruja, Lezha dhe Mirdita.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore