Shqipëria

“35 miliardë lekë për Programin e Rindërtimit”


“Gjithë fondi i rindërtimit për këtë vit kalon nga 28 miliardë në 35 miliardë lekë”.

Këtë e bëri të ditur ministri i Shtetit për Rindërtimin njëkohësisht edhe zëvëndëskryeministri, Arben Ahmetaj, fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave mëngjesin e 9 dhjetorit, për sa i përket “Programit të Rindërtimit”.

Ahmetaj bëri me dije se fondi i shtuar prej 7 miliardë lekësh do të financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Kjo e fundit do të financojë të gjitha bashkinë e Tiranës dhe dhjetë bashkitë e tjera që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Ritheksoj se programi i rindërtimit ka vetëm 35 miliardë, kjo me të njëjtën logjikë për shpejtimin e rikthimit të familjeve në shtëpi”.

Ai bëri me dije se synohet rikthimi në shtëpi për një numër të konsiderueshëm familjesh në Thumanë, Durrës, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë, Kurbin dhe Manzë.

“Avancimi është bërë për të përshpejtuar të gjitha proceset e rindërtimit për rikthimin në shtëpitë e reja apo shkolla, kopshte, ndërtesa publike, të gjithë qytetarët dhe institucioneve që në vitin 2019, 26 nëntor u detyruan të largoheshin”, e mbylli Ahmetaj fjalën e tij.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të parikthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën dhe disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Në total për t’u riparuar ishin 242 pallate, ku më të dëmtuarat ishin në Shijak, duke u ndjekur nga Kurbini, Durrësi, Kamëz, Kavaja, Vora, Kruja, Lezha dhe Mirdita.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore