Shqipëria

Rama dorëzon 153 banesa të reja në Kavajë: Pozitive kur politika është “në duart e duhura”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjendet në Kavajë ku ka dorëzuar 153 banesa në pallate të reja – pas tërmetit të 26 nëntorit.

Fillimisht, Rama theksoi se është lajm i mirë kur politika është në duart e duhura.

Numri një i qeverisë u shpreh se dy vjet pa shtëpi janë shumë për jetën e një familjeje.

Por, thënë kjo, për Ramën dy vjet për të rindërtuar shtëpitë e mijëra e mijëra familjeve janë pak.

Në vijim të fjalës së tij, kryeministri nuk kurseu as opozitën dhe situatën e Partisë Demokratike.

Referuar kalimit të kohës, Rama garantoi me ironi se edhe nëse do të ndërrohet qeveria “maksimumi do t’iu ndërrojnë bravën”.

Sipas kreut socialist, të gjitha këto banesa janë kontribute të Buxhetit të Shtetit.

Programi i Rindërtimit në Shqipëri, cilësoi Rama, është si asnjë tjetër në botë – falas.

Kryeministri solli në vëmendje se janë vetëm dy pika ku ka ende punë për të bërë – lagjet e 5 majit dhe Kombinatit në Tiranë dhe blloku i banesave në Spitallë të Durrësit.

Ndërkaq ministri i Shtetit për Rindërtimin njëkohësisht edhe zëvëndës kryeministri, Arben Ahmetaj, tregoi se në fund të janarit do të ndahen 76 apartamente të reja në një tjetër bllok banesash.

Procesi i Rindërtimit, sipas Ahmetajt, do mbetet në histori si një nga momentet ku politika reflektoi.

Duke folur për shifrat, numri dy i qeverisë ravijëzoi se 12 mijë familje do të futen në gjithë këtë periudhë në shtëpitë e tyre.

Deri më tani, sipas zëvendës kryeministrit 35 mijë familje kanë përfituar nga Programi i Rindërtimit.

Vendimi

Më 9 dhjetor, Këshilli i Ministrave mori vendimin për të shtuar 7 miliardë lekë për “Programin e Rindërtimit”.

Këtë lajm e bënte të ditur fill pas mbledhjes zëvëndës kryeministri, Arben Ahmetaj.

“Ritheksoj se programi i rindërtimit ka vetëm 35 miliardë, kjo me të njëjtën logjikë për shpejtimin e rikthimit të familjeve në shtëpi”.

Ai sqaroi se synohet rikthimi në shtëpi për një numër të konsiderueshëm familjesh në Thumanë, Durrës, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë, Kurbin dhe Manzë.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të pakthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën dhe disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Në total për t’u riparuar ishin 242 pallate, ku më të dëmtuarat ishin në Shijak, duke u ndjekur nga Kurbini, Durrësi, Kamëz, Kavaja, Vora, Kruja, Lezha dhe Mirdita.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore