Shqipëria

Rama nga Manza: Sot hapim dyert për 230 apartamente të reja


“Sot hapim dyert e 230 apartamenteve të reja për banorët që humbën shtëpinë më 26 nëntor të dy viteve më parë”.

Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mesditën e 28 marsit gjatë inaugurimit të apartamenteve të reja në Manzë, Durrës, të cilat u shkatërruan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kryeministri theksoi se, kur themi që “askënd nuk do ta lëmë vetëm, nuk është një fjalë e bukur, por një fakt”.

Gjithashtu, Rama u ndal edhe te lufta në Ukrainë dhe pasojat që ndjehen ndërkombëtarisht.

“Do të mbështesim tre muaj rresht, me një shumë ekstra, për të kompensuar rritjen e çmimeve të produkteve bazë të më shumë se gjysmën e 1 milioni njerëz”, vijoi ai, duke përmendur dhe Paketën e Rezistencës për të mbuluar krizën që do të prekë familjet shqiptare.

Ai tha se pjesë e ndihmës do të jetë dhe mbështetja e fermerëve me naftë pa taksa dhe pensionistët.

“Me radhë do të bëjmë çmos që edhe kjo situatë të kalojë pa shumë dhimbje. Luftërat nuk vijnë për të sjellë të mira, por dhimbje e plagë. Ne do të jemi të vendosur për të mos lënë të vetëm asnjë që është në vështirësi. Këtë vështirësi të madhe duhet ta kapërcejmë së bashku”, theksoi Rama.

Për tetë vite qeverisje, Rama përsëriti se qeveria e tij është përballur me fatkeqësi natyrore të paparashikuara, si tërmeti, por dhe pandeminë e COVID-19.

Tërmeti, pandemia… Megjithatë, siç nuk na gjunjëzoi as tërmeti dhe pandemia, s’do të na gjunjëzojë as kjo situatë. Do të kemi momente si ky, ku fëmijët, gjyshërit do të marrin frymë të lehtësuar, sepse do të jenë në një stacion të ri”.

Duke rreshtuar premtimet, të cilat janë përkthyer në punë sipas kreut të qeverisë, Rama theksoi se mbështetja për qytetarët nuk do të ndalet.

“Ne thamë që do t’i nxjerrim lekët nga dheu për të bërë shtëpitë tuaja dhe sot kjo është një tjetër lagje në vazhdën e një pune që vazhdon dhe që provon se ne mbajmë atë që themi. Nëse them do e bëjmë këtë gjë, do ta bëjmë se s’bën. Është vetëm çështje kohe”, u shpreh ai.

Numri një i qeverisë e përmbylli duke bërë dije se shumë çelësa apartamentesh janë dhënë dhe pritet që të mbarojnë punimet në Spitallë, Kavajë dhe disa zona në Tiranë.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të pakthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën dhe disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore