Lajme

Rada Trajkoviç: “Radoiçiç u shfaq si parodi e Zelensky-it, fatkeqësi për serbët dhe mesazh për NATO-n”


Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç

Paraqitja e nënkryetarit të Listës Serbe diku në malet e Leposaviqit, për kryetaren e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviç, është parodi e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përkatësisht imitimit të veshjes së tij.

Trajkoviç u shpreh se kjo është një mesazh ndaj NATO-s por edhe fatkeqësi për serbët, në një përgjigje për të përditshmen serbe “Danas”.

“Radoiçiç, edhe pse një njeri me një profile skajshmërisht problematik, qartazi tejkalon pikëkalimet kufitare edhe më lehtë se unë. Në Veri të Kosovës të shfaqet si ushtar dhe aludon në luftën në Ukrainë. Në këtë kontekst i vetmi mesazh ndaj Vuçiç është: ti i ke krijuar dhe prodhuar në liderë politikë të serbëve të Kosovës, dhe tani ti duhet t’i kontrollosh. Kjo është përgjegjësia e tij”, ka thënë Rada Trajkoviç.

Radoiçiç dje u shfaq përmes një video mesazi të regjistruar në Leposaviq

Përmes një video-mesazhi, Milan Radojçiç, i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç, është lajmëruar nga veriu i Kosovës, konkretisht nga Leposaviqi.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, thotë Radojçiç.

Nënkryetari i Listës Serbe, po ashtu është vendosur në listën e të kërkuarve për rastin “Brezovica”.

Më 3 shkurt, Radojçiç kishte arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.

Radojiçiç ishte duke u futur në Kosovë nga Serbia kur u ndalua nga organet e rendit dhe në momentin kur polici kufitar ka kontrolluar dokumentet e tij ka rezultuar se ai është person në kërkim.

Në atë moment, ai ka vozitur makinën e tij mbrapa dhe është arratisur për në Serbi.

“Po ka lidhje drejtpërdrejt me rastin Brezovica”, pati konfirmuar prokurori Rasim Maloku për AP, duke shpjeguar mëtej rastin.

“Po, në polici kur i ka dorëzuar dokumentet, në atë moment kur kanë tentuar ta arrestojnë i ka ikur policisë”, kishte potencuar Maloku.

Pse ishte tërhequr urdhërarresti për arrestimin e Radojeçiç?

Në muajin mars të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës i kishte bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiçit, i cili dyshohej për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe Themelorja ia ka aprovuar.

Në aktvendim të Gjykatës, thuhej se “pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit, konstatohet se kërkesa është e arsyetuar mirë”.

“Nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në aktvendimin e Gjykatë Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq më 23 nëntor të vitit të 2018, Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të kërkimit në veri të vendit me qëllim të arrestimit të Milan Radoiçiç i cili nuk u gjet në vendqëndrimin e tij ndërsa gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona.

Më tetë dhjetor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vënë sanksione edhe ndaj disa serbëve të Kosovës.

Serbi nga Kosova, Zvonko Veselinoviç bashkë me të vëllain e 10 persona të tjerë kanë hyrë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi që janë të dyshuar për kryerjen e disa veprave që bien ndesh me ligjin e që kanë të bëjnë me krimin e organizuar e korrupsionin.

Emri i tij është përmendur shpesh kur bëhej fjalë për “të fortit” e pjesës Veriore të Mitrovicës, por së fundi Departamenti Amerikan i Shteteve të Bashkuara doli me një njoftim se këtyre personave u ka ndaluar hyrjen në SHBA.

Përveç Zvonko Veselinoviç, DASH ka njoftuar se ndalesa për të hyrë në SHBA u është vënë edhe Zharko Veselinoviç, të vëllait, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore