Lajme

Quajti Erdoganin “gomar”, kërkohen 11 vjet burg për gazetaren turke


Gazetarja e njohur turke, Sedef Kabas, rrezikon të dënohet deri me 11 vjet burgim, për shkak të një statusi të vetëm në median e saj sociale Twitter, ku me anë të një fjale të urtë, tha se “kur kau futet në pallatin mbretëror, nuk bëhet mbret. Por, pallati bëhet një stallë”.

Kabas, e cila ndër të tjerë është edhe një ikonë e edicionit të lajmeve në Turqi, nëpërmjet këtij statusi, i është drejtuar as më pak e as më shumë, por Presidentit të Turqisë, Recep Tyyip Erdogan.

Për këtë arsye, prokurorët e çështjes, i kanë kërkuar Gjykatës, që ta dënojë atë me 11 vjet burg. Kjo, pasi supozohet se ajo ka ofenduar edhe ministrin e Brendshëm, Suleyman Soylu dhe atë të transporteve, Adil Karaismailoglu.

Kabas u arrestua natën e 23 janarit, rreth orës 02:00 të mëngjesit, në shtëpinë e saj. Më pas, ajo është dërguar në paraburgim, në pritje të dënimit.

Nëse Gjykata merr vendimin, Kabas mund të kthehet në një ndër gazetaret të dënuara më rëndë në Turqi, për një “tweet” të vetëm.

Ligji ndaj fyerjeve kundrejt qeveritarëve në Turqi, është tepër i ashpër.

Thirrje janë bërë nga aktorët ndërkombëtarë, që Turqia ta rishikojë ligjin për fyerje ndaj presidentit. Por, në shtatë vjet, që kur Erdogan mori postin, mijëra qytetarë janë akuzuar për të tilla sjellje dhe nuk ka një sinjal se gjërat mund të ndryshojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore