Lajme

Shau Erdoganin, arrestohet gazetarja e njohur turke


Një gazetare e njohur televizive në Turqi është arrestuar dhe mund të përballet me burgim pasi e kanë vendosur nën akuzë, me pretendimin se ajo ka fyer presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Sedef Kabas, në mes të natës – rreth orës 02:00 – është arrestuar në shtëpinë e saj dhe më pas dërguar në rajonin e Policisë. Më tej, ajo është përballur në gjykatë me vendimin e arrestit paraprak, përpara marrjes së vendimit përfundimtar.

Situata aspak e zakontë, është krijuar pasi Kabas, ka përdorur një fjalë të urtë turke, për të përshkruar Erdoganin.

“Kur kau futet në pallatin mbretëror, nuk bëhet mbret. Por, pallati bëhet një stallë”.

Kështu shkroi gazetarja e njohur në Twitter, në atë që duket se do t’i kushtojë lirinë për disa kohë.

Nga ana e drejtorit të komunikimit në Presidencën turke, Fahrettin Altun, ka ardhur po ashtu një reagim mbi postimin e Kabas.

“Nderi i zyrës së prsidentit është nderi i gjithë kombit. E dënoj fyerjen vulgare të bërë ndaj institucionit të Presidentit”.

Ndërsa, nga pala e gazetarëve, është kritikuar së tepërmi arrestimi i koleges së tyre.

Gazetarja turke, Sedef Kabas

“Arrestimi i saj prej një proverbi të shkruar është i papranueshëm”, shkroi në Twitter Merdan Yanardag, kryeredaktori i televizionit Tele 1, ku Kabas punon. “Kjo është një përpjekje për të frikësuar gazetarët, median dhe shoqërinë”.

Masa e cila mund të vendoset ndaj gazetares sakaq, mund të shkojë nga një vit burgim, në katër vjet.

Thirrje janë bërë nga aktorët ndërkombëtarë, që Turqia ta rishikojë ligjin për fyrje ndaj presidentit. Por, në shtatë vjet, që kur Erdogan mori postin, mijëra qytetarë janë akuzuar për të tilla sjellje dhe nuk ka një sinjal se gjërat mund të ndryshojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore