Lajme

“Qeveria s’mundi ta emërojë njeriun e vet si kryepolic – Do ketë vështirësi ta kryejë punën për shkak të përzierjes së Sveçles”, si u prit emërimi i drejtorit të ri të PK-së


Si më i vlerësuari nga Ambasada e Britanisë së Madhe, Gazmend Hoxha gati gjashtë muaj pas dorëheqjes së Samedin Mehmetit, është zgjedhur Drejtor i Policisë së Kosovës, meqë ky i fundit u largua me arsyetimin zyrtar, “shkaqe personale dhe ndërgjegje profesionale”, pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçares në Prishtinë dhe vendin e tij si Ushtrues Detyre kishte zënë Fehmi Hoti.

Por, Hoxha “do të ketë vështirësi për ta kryer punën si duhet si kryepolic”, vlerëson ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Gazmend Hoxha do ta ketë një sfidë mjaft të madhe qasjen ministrit të punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, pasi ju e dini që nga ish-drejtori i policisë, Samedin Mehmeti, ministri e ka lënduar shumë institucionin e policisë, pasi është përzier tejmase në punë të organeve të rendit, jo vetëm në aspektin operacional”, thotë Qalaj për Albanian Post.

Madje Qalaj vuri në pah se ministri Sveçla, e kryen edhe “punën e zëdhënësit në MPB”.

Rashit Qalaj

“Për mua sfida kryesore do jetë qasje e ministrit në raport me drejtorin”, potencon deputeti i PDK-së, teksa shprehet i gëzuar që është zgjedhur drejtori, meqë ky institucion i sigurisë kishte mbetur me ushtrues detyre.

“Drejtori i ri ka një përvojë policore, pasi ka punuar gjatë në departamentin e operacioneve”.

Ndërsa për njohësin e çështjeve të sigurisë Drizan Shalën, zgjedhja e drejtorit të ri pas gjysmë viti, “e pasqyron faktin e brishtësisë e cila mbizotëron në nivelin politik për sektorin e sigurisë”.

“Në një situatë normale të mbetesh peng i politikave ditore duke mos vazhduar procesin për përzgjedhje tregon që qeveria ka tentuar që të vendos njërin e tyre në krye të PK-së, por që nga rekomandimi i Ambasadës Britanike dhe vlerësimit të saj, qeveria e pati të pamundur të manipulojë dhe në fund vendosi ashtu siç ishte bërë vlerësimi”, thekson Shala për AP.

Drizan Shala

Pavarësisht kësaj, Shala e vlerëson si profesionist Hoxhën, që nga kjo e mërkure u legjitimua si drejtor i ri i Policisë nga Qeveria.

“Për drejtorin e ri të PK-së mund të themi që ka një bagazh të konsiderueshëm në fushën e sigurisë dhe menaxhmentit, tani mund të themi që ka frymë të re në kuadër të PK-së me shpresë që shumë procese që janë të pa përmbyllura të mund të vazhdojnë pa u penguar nga politika duke garantuar sovranitet në vendimmarrje policore”.

Emërimi i Hoxhës si shef i policisë, po shihet si “zgjidhje e duhur” nga ish-komandanti i Shërbimit Policor të Kosovës, Sheremet Ahmeti.

“E njoh që moti, pasi kam qenë shumë gjatë aty dhe në të gjitha detyrat që e kam takuar dhe që ka punuar i ka kryer me shumë përgjegjësi dhe më shumë sukses, andaj kam shumë besim se di ia dali, në këtë pozitë e cila padyshim është shumë e rëndësishme, pasi që ka të bëjë me sigurinë e qytetarëve dhe jam i bindur që do ta kryej me shumë përgjegjësi”, thotë Ahmeti për Albanian Post.

Sheremet Ahemti

Kush është Drejtori i ri i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha?

Gazmend Hoxha është i angazhuar në Policinë e Kosovës që nga viti 2000.

Në vitin 2002 i njëjti morri gradën në stacionin Jugu të Prishtinës. Hoxha në vitin 2009 u emërua drejtor i Njësive Speciale, kurse në vitet 2010 u emërua Drejtor kundër Krimit të Organizuar.

Në vitin 2012 Gazmend Hoxha u zgjodh Drejtor i Policisë në Ferizaj.

Gazmend Hoxha zgjedhet drejtor i Policisë së Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore