Lajme

“Qeveria po na detyron t’i shesim pajisjet e prodhimit të kriptovalutave”


Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka bërë që disa qytetarë të cilët prodhojnë kriptovaluta, të fillojnë t’i shesin pajisjet e tyre, nga të cilat kanë fituar mijëra euro në vitet e fundit.

Njoftimet për shitjen e pajisjeve po bëhen kryesisht në grupe të ndryshme në rrjetet sociale, ku zakonisht diskutohet vetëm për çështjen e kriptovalutave.

Varësisht nga pajisjet çmimet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga 1 mijë e 500 e deri në 8 mijë euro.

Një prodhues i kriptovalutave për Radio Evropën e Lirë (REL) ka thënë se është detyruar t’i shesë tri pajisjet e tij, në mënyrë që të mos veprojë në mënyrë kundërligjshme.

“I kam pasur tri pajisje dhe të tria i kam shitur, sepse Qeveria nuk ka dhënë afat se për sa kohë do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave. Po të kishte një afat, do t’i ndalonim përkohësisht. Të tri pajisjet i kam shitur  për 1 mijë e 500 euro”, ka thënë ai n kushte anonimiteti.

Në aplikacionin “Telegram” ku participojnë një numër i madh i njerëzve po bëhet shitblerja e pajisjeve për prodhim të kriptovalutave.

“Kam filluar qe më shumë se 6 muaj të prodhoj kriptovaluta. Për momentin kam një pajisje (Rig 5700xt 6-GPU). E kam blerë 7 mijë euro. Pesë mijë euro i kam marrë kredi për ta blerë. Çdo muaj prej kësaj pajisje i kam fituar 500 deri 600 euro”, ka thënë njëri prej tyre bashkëbiseduesve të REL.

Sipas tij, Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, është pak i ngutshëm dhe shpreson që i njëjti të anulohet, mirëpo ai thotë se ende nuk ka vendos nëse do ta shesë pajisjen, pasi që, sipas tij, nuk shpenzon shumë rrymë.

Bie çmimi i pajisjeve

Përveç shitjes së pajisjeve, prodhuesit e kriptpvalutave kanë filluar t’i tërheqin edhe fitimet.

Në Prishtinë në njërën nga kompanitë për këmbimin e kriptovalutave kanë thënë se ata që kanë kriptovaluta, tashmë kanë filluar t’i tërheqin fitimet, pavarësisht se vlera e tyre aktualisht ka rënë.

Ardian Alaj, bashkëpronar i njërës prej kompanive për këmbim të kriptovalutave, për REL ka thënë se me datat 4 dhe 5 janar ka qenë një fluks më i madh i njerëzve, të cilët kanë këmbyer valutat e tyre.

Vendimi i Qeverisë nuk ka pasur shumë sqarime dhe njerëzit ndihen të rrezikuar se çfarë do të ndodhë me valutat e tyre ka thënë ai.

“Kemi klientë të rregullt që çdo muaj vijnë i konvertojnë fitimet e tyre për nevoja të rrymës, internetit dhe nevojat e tyre personale, por këto dy ditë fluksi i njerëzve ka qenë më i madh dhe sasia e këmbimit të valutave ka qenë shumë e madhe krahasuar me muajt paraprakë”.

“Ajo çka po vërehet është se çmimi i pajisjeve ka pësuar rënie shumë të madhe. Zakonisht blerja e një pajisje, ka kushtuar deri 5 mijë euro, tash mund të gjendet në treg me 2 mijë deri 2 mijë e 500 euro”, ka thënë Alaj.

Ndërsa sipas Doganës së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2021 për tregun e Kosovës janë importuar pajisje për prodhim të kriptovalutave në vlerë rreth 600 mijë euro.

Qeveria zotohet se do t’i ndalojë kriptovalutat edhe në veri

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të martën e katër janarit se do të identifikohen lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë territorin e Kosovës.

Policia në dy operacione të ndara, më gjashtë janar ka sekuestruar 70 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Sipas Qeverisë “në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike dhe një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit”, përcjell REL.

“Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovalute, duke marrë parasysh shifra konservative, konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit”, thotë Qeveria.

Albanian Post lidhur me prodhimin e kriptovalutave, shpenzimin e energjisë dhe vendimin e Qeverisë për ndalimin e prodhimit ka realizuar një storie me ekspertin e kriptovaluave, Milot Mehmeti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore