Kosova

Qeveria nuk ndryshon masat anti-COVID, IKSHPK thotë se qytetarët po nglizhojnë respektimin e tyre


“Mbesin ende në fuqi masat e njëjta anti-COVID në Kosovë”, ka njoftuar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti pas takimit të tij me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani.

Po ashtu, ai ka theksuar se institucionet shëndetësore janë duke funksionuar me kapacitete të plota dhe se janë në pritje të pranimit të dozës së parë të vaksinave.

“Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrij  kontingjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve”, ka shkuar Hoti.

Hoti ka kërkuar që të vazhdohet respektimi i distancës fizike, përdorimi i maskave dhe të mirëmbahet higjiena personale.

Ndërsa institucionet përgjegjëse “të shtojnë angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi”, ka shtuar ai.

Kosova është një ndër vendet e Evropës e cila ende nuk ka arritur të sigurojë asnjë vaksinë.

Ndonëse nuk është dhënë ndonjë arsye e veçantë e vonesës së tyre, përfaqësuesja për media nga kompania COVAX, Laura Shevlin, për Albanian Post ka thënë se nuk ka ende ndonjë afat të caktuar kohor për dërgesën e vaksinave.

“Raundi i parë i alokimeve u është komunikuar qeverive përkatëse të cilët po punojnë ngushtë me partnerët e COVAX dhe prodhuesit e vaksinave në datat specifike të dërgesave. Afatet kohore për këto dërgesa do të bëhen publike në ditët në vijim”, ka thënë për Albanian Post, përfaqësuesja për media nga kompania COVAX, Laura Shevlin, kur është pyetur se kur do arrijnë dozat e para të vaksinave në Kosovë.

Kosova, si një nga vendet e përfshira në program, besohet se do të mund të përfitojë nga COVAX, 100 mijë e 800 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Në anën tjetër Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.

Sipas instituti, mjekët të mbingarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.

“IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19”, thuhet në reagimin e IKSHPK-së

“Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit”.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të IKSHPK-së:

Të nderuar qytetarë!

Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 632 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm Në Prishtinë janë raportuar 276 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 8 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.

Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave.

Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Masat parandaluese janë të njejta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.

Andaj rekomandojmë edhe një herë:

Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;Ndalimi rigoroz i tubimeve;Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke redukuar edhe kohën e punës gjatë ditës.

IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore