Lajme

Qeveria kundër QUINT-it: Kërkesa për organizim të Referendumit serb në Kosovë shkel sovranitetin e vendit


Kreshnik Ahmeti, zv.minister i Jashtem i Kosoves

Thirrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Bashkimit Evropian, që të lejohet organizimi i vendvotimeve për Referendumin serb në Kosovë, nuk i është përgjigjur pozitivisht Qeveria e Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, pas publikimit të deklaratës së përbashkët të QUINT-it, se “e drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Por, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin”.

Ambasadat e QUINT-it në Kosovë, në një deklarim të përbashkët shkruajtën se “ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”.

Por, zëvendësministri Ahmeti në statusin e tij thotë se “përderisa janë dy mundësi të lehta votimi për këta qytetarë, nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, çfarëdo kërkese shtesë nga Serbia është vetëm pretekst për destabilizim eventual të vendit e rajonit”.

Albin Kurti

“Si Republikë, jemi të barabartë mes fqinjëve tanë në rajon, prandaj duhet t’i shohim edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. Për më tepër, ne synojmë anëtarësimin në BE dhe duhet t’i shohim edhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe”.

Ai ka vazhduar duke thënë se “njohja e së drejtës së dikujt, nuk duhet të bëhet në kurriz të së drejtës së tjetrit. Prandaj, këto kërkesa të paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e vendit”.

Ahmeti, duke injoruar krejtësisht thirrjen e QUINT-it, ka shkruar se “Serbia nëpërmjet këtyre kërkesave ka si synim vetëm legjitimin e destabilizimit eventual të veriut të Republikës së Kosovës dhe të rajonit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore