Shqipëria

Qendërzimi i Shqipërisë si fuqi e stabilitetit rajonal, ‘pasefekti’ i dialogut strategjik Tiranë-Washington


Takimi më i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në historinë e tyre moderne.

Kështu e ka cilësuar zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, takimin e zhvilluar mes përfaqësuesve të Shqipërisë dhe SHBA-ve, nën emërtimin e një dialogu strategjik mes dy vendeve, i cili i thellon më tej marrëdhëniet dypalëshe.

Pamje nga tryeza e dialogut strategjik Shqipëri-SHBA

I sjellë në kuadër të 100-vjetorit të raporteve diplomatike mes partnerëve amerikanë dhe Shqipërisë ballkanike, intensiviteti i bisedimeve, siç i përshkruar edhe nga vetë ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka qenë përtej asaj çfarë mund të mendohet.

Në thelb, këto tryeza kanë të bëjnë, duke përkufizuar diplomatë të lartë amerikanë, me rolin e shtuar që Tirana po merr në rajon.

Kjo pasi, sipas zyrtarëve amerikanë, ajo po luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë.

Po në të vërtetë, çfarë mund të fshihet pas bisedimeve “intensive”?

Konsulenti dhe eksperti i politikës së jashtme, Akri Çipa, mendon se kthimi i Shqipërisë në një qendër ballkanike për iniciativat zhvillimore dhe ekonomike të Washington-it në rajon, është më se i mundur.

Akri Çipa, konsulent dhe ekspert i politikës së jashtme

I pyetur nga Albanian Post lidhur me këtë proces të nisur, Çipa ka shpjeguar se thelbësisht, ky është një hap i mëtejshëm në thellimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe është padyshim shumë i mirëpritur.

Mirëpo, përtej diskutimeve të zakonshme si ato të natyrës politike, forcimit të institucioneve dhe shtetit të së drejtës, ka edhe një element ekonomik, i cili lidhet me përpjekjet që Tirana duhet të bëjë, për të nxjerrë në pah potencialin ende të parealizuar të vendit.

“Synimi në këto shkëmbime duhet të jetë për të krijuar sinergji në këtë fushë dhe në shndërrimin e Shqipërisë në një qendër ballkanike për iniciativat zhvillimore dhe ekonomike të Washington-it”, shpjegon eksperti. “Këtë rol, e mëtoi Serbia dhe për pak e siguroi nëpërmjet zyrës së Bankës Amerikane të Zhvillimit, e cila u hap në Beograd”.

Mirëpo, për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, është me rëndësi që vendi të tregojë ambicien dhe aftësinë për të qendërzuar Tiranën, me interesat ekonomike të SHBA-ve.

Madje, ai nuk përjashton edhe përfshirjen e Prishtinës në këtë dinamikë.

Spektri i tematikave të diskutuara sipas Çipës, mund të jetë edhe më i lartë se kaq, duke marrë parasysh edhe delegacionin e madh shqiptar të dërguar në Washington, i cili në vetvete i jep peshë situatës.

Përfundimet reale, do të shihen në muajt në vijim për të, përtej deklaratave situacionale diplomatike të çastit.

Por, nëse merret parasysh situata e tanishme në Evropë, nuk është pak të thuhet se shqyrtimi i projekteve konkrete në fushën energjetike, do të jetë kyç në bisedime.

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim dhe ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Ballkuku, inaugurojnë punimet për hidrocentralin e Skavicës

Muajt e fundit, është parë një përpjekje e SHBA-ve, pikërisht për të forcuar bashkëpunimin mes palëve në këtë sektor, duke sjellë investime, siç janë ai i hidrocentralit të Skavicës apo në Tec-in e Vlorës – të dyja këto investime amerikane.

Konfirimimi i një pranie më të gjerë të palës amerikane në rajon, është i nënkuptuar sipas Çipër kur sheh tryeza të tilla dhe vizita të njëpasnjëshme nga zyrtarë të lartë amerikanë në Tiranë apo edhe Prishtinë, e vërteton këtë.

Brenda kontekstit rajonal, tryeza të tilla, të cilat marrin shumë vëmendje, i japin Shqipërisë një vlerësim të lartë dhe një qasje më aktive në raport me partnerët kyç.

Fjala bie, përcaktimi i Tiranës si një aktor kontributor në ruajtjen e stabilitetit dhe balancave në rajon, është tashmë fakt i perceptuar nga gjithë bashkësia ndërkombëtare.

“Shqipëria është një aktor i vlerësuar për kontribut në ruajtjen e stabilitetit dhe balancave, si dhe për orientimin e saj të qartë në politikën e jashtme”, e përmbyll Çipa, duke theksuar edhe rolin që delegacioni shqiptar, ka luajtur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku prej janarit 2022 është anëtare jo e përhershme.

Nis dialogu strategjik SHBA-Shqipëri/ Xhaçka: Thellon marrëdhëniet dypalëshe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore