Kosova

PZAP, Kosovë: Publikohet vendimi për ankesat e subjekteve politike


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të martën, nxori vendimin se iu refuzohet ankesa nëntë subjekteve politike, në lidhje me mos certifkimin e tyre për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë. Këta kandidatë rezultojnë të dënuar me vepër penale, gjatë tre viteve të fundit.

Në këtë listë, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosja (LVV), Albin Kurti, nuk ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Edhe anëtarëve të tjerë të LVV-së, iu është mohuar e drejta e kandidimit. Këta janë, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi Murtezi.

Nga Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës (PDKAK), i refuzohet kandidimi i anëtarit, Ferat Dogani. Nga partia Ashkalinjëve për Integrim (PAI), i refuzohet kandidimi, Qazim Rrahmani, Florim Bajrami, Fadil Podrinja dhe Agon Asllani.

Kandidati për deputet nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), Muhamet Ali Mergjollari, i refuzohet kandidimi. Subjektit politik Socialdemokratska Unija (SDU), nuk i lejohet kandidimi, anëtarit Emin Neziraj.

Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), iu refuzohet kandidimi Shemsedin Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati.

Nismës Socialdemokrate, dhe anëtarëve të saj, Vesel Krasniqi, Besnik Berisha, Filloreta Bytyçi, Valentina Alijaj, Xhafer Berisha, Aziz Thaçi, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gërdellaj, Vehbi Avdullahaj, Endrit Shala dhe Ardian Nokaj, gjithashtu iu refuzohet kandidimi.

Në vendimin e PZAP-së, specifikohet se këta kandidatë, nuk mund të zëvëndësohen me të tjerë.

Të gjithë kandidatët, nuk janë në përputhje me nenin 29, gërma “q”, të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Ankesat nga këta subjekte politike, erdhën pasi KQZ-ja, nuk i certifikoi këta kandidatë, për të garuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Pas rrëzimit të Qeverisë “Hoti”, nga Gjykata Kushtetuese, Kosova, brenda katër vitesh, shkon për herë të tretë në zgjedhje parlamentare, më 14 shkurt 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore