Përballje

PSG shënon fitore bindëse ndaj Lorient-it


Paris Saint Germain ka shënuar fitore bindëse me rezultat 5:1 ndaj skuadrës së Lorient, në ndeshjen e vlefshme të javës së 30-të në Ligue 1.

Kylian Mbappe ishte protagonist në këtë ndeshje, i cili realizoi dy gola dhe dhuroi tre asistime.

Pas vetëm 12 minutash lojë, Neymar i kaloi parisienët në epërsi me një asistim të Mbappe-s.

Mbappe u shfaq në minutën e 28-të, ku këtë radhë shënoi golin për 2:0, rezultat me të cilin edhe përfundoi pjesa e parë.

Pjesa e dytë filloi më mirë për mysafirët, që ngushtuan rezultatin në 2:1 me golin e realizuar prej Terem Moffi.

Por, Mbappe në minutën e 67-të, ishte sërish në listën e realizatorëve për rezultatin 3:1, ndërsa asistues ishte Achraf Hakimi.

Për rezultatin 4:1 të parisienëve u përkujdes Lionel Messi, që shënoi në minutën e 73-të, ndërsa francezi realizoi edhe asistimin e tij të dytë.

Mbappe realizoi më pas ‘hat-trick asistimesh’, pasi e gjeti Neymar-in në minutën e 90-të, për të shënuar golin e dytë personal dhe të pestin për skuadrën e tij.

Pas javës së 30-të, PSG vazhdon të jetë lider me 68 pikë, ndërsa në xhiron e ardhshme luan ndaj Clermont.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore