Sport

PSG këmbëngul për ta marrë Mourinho-n


Ka raportime në rritje se trajneri i Romës, Jose Mourinho, është në negociata për ta marrë postin e trajnerit të Paris Saint-Germain sezonin e ardhshëm.

Sipas “RMC Sport”, Mourinho deri më tani nuk e ka diskutuar këtë çështje, duke ia lënë në dorë agjentit të tij, Jorge Mendez, i cili po merret drejtpërdrejt me drejtorin e PSG-së, Luis Campos.

Gjigantët e Ligue 1 e kanë bërë të qartë prej kohësh se trajneri i tanishëm, Christophe Galtier, do të largohet në fund të sezonit, pasi që dështoi ta fitonte trofeun që parisienët ka kohë që e kërkojnë – Ligën e Kampionëve.

Mourinho e ndërtoi reputacionin e tij duke fituar Ligën e Kampionëve me klube jo shumë të favorshme në atë kohë – me Porto-n në vitin 2004 dhe me Inter-in në vitin 2010, kështu që mund të jetë njeriu që do t’i japë fund kërkimit të gjatë dhe të pafrytshëm të PSG-së për lavdinë evropiane.

Do të kishte gjithashtu shumë kuptim duke pasur parasysh se “The Special One” ka qenë gjithnjë e më hapur dhe i frustruar nga mungesa e buxhetit që i është ofruar te Roma.

Pas çdo ndeshje, qoftë fitore apo humbje, ai do të theksojë se ata nuk e kanë skuadrën e mjaftueshme për të përballuar më shumë se në një turne, pavarësisht se kanë arritur në gjysmëfinalen e Europa League.

PSG ka një buxhet praktikisht të pakufishëm dhe po kërkon një personalitet të fortë në stol për të mbajtur nën kontroll egot e tyre të ndryshme.

Mourinho bëri komente më shqetësuese në konferencën e tij për shtyp pas humbjes 2:0 të së shtunës ndaj Interit.

“Unë jam më shumë se një trajner këtu. Unë jam trajner, por bëj më shumë se detyrën e trajnerit”, kishte thënë Mourinho.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore