Lajme

Protesta të dhunshme në Ankara kundër emigrantëve sirianë


Protestuesit anti-emigrantë kanë sulmuar shtëpi, dyqane dhe makina në pronësi të sirianëve në kryeqytetin e Turqisë, pasi tensionet u ndezën për vrasjen e supozuar të një adoleshenti vendas.

Dhuna shpërtheu të mërkurën e 11 gushtit, pas raportimeve se një refugjat sirian kishte goditur me thikë dy burra turq në një përleshje.

Qindra vendas zbritën në një zonë të Ankarasë, ku jeton një komunitet i emigrantëve dhe refugjatëve nga Siria.

Videot në internet treguan grupe burrash, të cilët përmbysnin makina dhe vandalizonin dyqanet.

Tensionet janë ndezur kohët e fundit me ardhjen e mijëra afganëve që ikin nga një luftë e përshkallëzuar në vendin e tyre.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se Turqia aktualisht pret numrin më të madh të refugjatëve në të gjithë botën, përfshirë më shumë se tre milionë sirianë.

Sulmet e së mërkurës, në lagjen Altindag, erdhën pasi 18-vjeçari Emirhan Yalcin u vra në një luftë midis refugjatëve sirianë dhe vendasve në të njëjtën zonë herët gjatë ditës.

Prokurorët thanë se filloi një hetim dhe dy persona u arrestuan.

Pasi raportimet për incidentin u përhapën, qindra protestues vërshuan në rrugët e Altindag.

Policia u vendos në zonë për të ndaluar dhunën. Raportet turke thonë se policia evakuoi disa sirianë nga lagja me autobusë.

Të mërkurën në mbrëmje, Zyra e Guvernatorit të Ankarasë tha se protestat e dhunshme kishin përfunduar me “përpjekjet intensive të forcës policore”.

Në një postim në Twitter, Partia Demokratike Popullore (HDP) e opozitës pro-pakicës bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj komunitetit të emigrantëve në Turqi.

Turqia, pikë tranziti

Turqia ka qenë një pikë kyçe tranziti për azilkërkuesit, të cilët synojnë të kalojnë në Evropë për të filluar një jetë të re.

Kjo vlen veçanërisht për atë që ikin nga lufta dhe persekutimi.

Ajo strehon rreth 4 milionë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë. Shumica e tyre janë dëbuar me forcë.

Ata kryesisht janë emigrantë të ardhur nga Afganistani, Pakistani dhe Afrika e Veriut. Pjesa tjetër vijnë nga Siria dhe Iraku.

Sipas shifrave të vitit 2020, rreth 6.6 milionë refugjatë sirianë përbëjnë një të tretën e popullatës globale të refugjatëve.

Pakistani pret rreth 1.4 milionë refugjatë, me origjinë kryesisht nga Afganistani. Uganda pret rreth 1.3 milionë refugjatë, me origjinë kryesisht nga Burundi, Republika Demokratike e Kongos, Ruanda, Somalia dhe Sudani i Jugut.

Deklarata BE- Turqi

Deklarata e Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë, e dakorduar më 18 mars të vitit 2016, u përpoq t’i jepte fund migrimit të parregullt nga Turqia.

Kjo deklaratë synonte të përmirësonte kushtet e jetesës për refugjatët sirianë, të cilët vinin nga Turqia.

Katër vite më vonë, mbërritjet e parregullta u raportuan 94% më të ulëta se periudha para se të bëhej Deklarata.

Numri i jetëve të humbura në det gjithashtu u zvogëlua ndjeshëm.

BE-ja vazhdon t’i mbështesë refugjatët sirianë që vijnë nga shteti i Turqisë.

Gjatë vitit 2019, aplikuesit nga Siria depozituan rreth 80 mijë aplikime drejt Bashkimit Evropian.

Ato ndiqeshin nga Afganistani me rreth 61 mijë dhe Venezuela rreth 46 mijë aplikime. Shpesh gjuha, lidhjet kulturore ose afërsia gjeografike luajnë një rol në vendin ku depozitohet aplikimi.

Në lidhje me këtë çështje, autoritetet greke shprehen se personat, të cilët kanë dokumente të rregullta, janë lejuar të qëndrojnë në Greqi për një muaj, nëse ato kanë shprehur qëllimin e tyre për azil.

Sipas informacioneve nga Këshilli i Refugjatëve në Greqi, policia greke, jo vetëm emigrantët që qëndrojnë nëpër kampe, por edhe ata që janë në qendra paraburgimi, i dërgon në kufirin e Turqisë duke u premtuar lirinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore