Lajme

Protesta, gaz-lotsjellës, prezencë e KFOR-it e takime – krejt çfarë po ndodh në Veri


Ilustrim/Albanian Post

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht amerikanë – gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar me serbë etnikë.

Protestuesit në komunat veriore të Kosovës kanë tentuar ta kalojnë kordonin policor pranë ndërtesës së komunës së Zveçanit, duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës, por Policia e Kosovës ka ndërhyrë me sprej për ta vënë situatën nën kontroll.

Serbët para Komunës së Zveçanit, kanë vendosur një flamur të Serbisë në një autoblindë të njësiteve elitare të Policisë së Kosovës, ndërsa në një tjetër kanë shkruar me sprej të bardhë katër shkronja cirilike “S (С)”, që do të thotë “Vetëm uniteti i shpëton serbët”.

Gjithashtu, protestuesit janë dëgjuar duke thirrur “kjo është Serbi”.

Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – është duke u përpjekur për të negociuar me KFOR-in dhe po kërkon që kryetarët e rinj të mos hyjnë në objektet komunale. Gjithashtu, kërkesë e saj është edhe që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet elitare policore nga veriu.

Protestuesit serbë që po qëndrojnë para ndërtesës së Komunës së Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës e kanë goditur me një shishe boshe, kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili kërkoi nga protestuesit serbë që të lëvizin dhe të lirojnë rrugën në mënyrë që të kalojnë dy automjete të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Por, protestuesit refuzuan, derisa filluan të brohorasin “tradhti”.

KFOR-i nga ana tjetër u ka bërë thirrje palëve të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione ose shkaktojnë përshkallëzim të situatës, ndërsa i ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë të angazhohen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Në ndërkohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pati një takim të përbashkët me kryetarët e sapozgjedhur të komunave në veri të Kosovës – Zveçan dhe Zubin Potok – për të vazhduar në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku edhe ndodhet zyra e Presidentes Vjosa Osmani.

Hovenier pas takimit me presidenten Osmani dhe Drejtorin e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës, ka thënë se situata në veri është thellësisht shqetësuese dhe ka përsëritur se është me rëndësi që mos të bëhet hyrja me forcë në objektet e komunave.

Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, të cilët fituan zgjedhjet e 23 prillit me Partinë Demokratike të Kosovës, i janë përgjigjur thirrjes për takim, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, e cila u mbajt në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Në takim ishin ftuar edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, përkatësisht Lulzim Hetemi dhe Erden Atiq, të cilët fituan me Lëvizjen Vetëvendosje, por ata nuk kanë marrë pjesë në këtë takim, i cili thuhet të ketë për qëllim uljen e tensioneve në komunat e banuara me shumicë serbe.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore