Kosova

Prokuroria interviston Besnik Bislimin dhe Hekuran Muratin pas përleshjeve në Kuvend


Situata në Kuvend, të enjten.

Më ftesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë intervistuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati pas përleshjeve që kishin ndodhur të enjten e 13 korrikut në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të pushtetit dhe të opozitës.

Lajmi është bërë i ditur nga Betimi për Drejtësi.

Sipas burimeve të këtij mediumi, procedurat hetimore janë duke vazhduar si dhe pritet që të intervistohen edhe persona të tjerë.

Gjatë ditës së enjte, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku bëri të ditur në rrjetin social ‘Facebook’ se ka marrë ftesë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Kurse, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte njoftuar se lidhur me rastin e ndodhur në Kuvend ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast.

Të enjten, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.

Shishja e Pushtetit dhe flakaresha e Opozitës – Parlamenti i Kosovës si dikur, por ndryshe

Më pas, situata u rëndua me sulme fizike edhe ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, kur deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ia marrë syzet ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe duke e goditur me to.

Murati, reagoi duke u përpjekur që ta mbronte Kurtin me një fashikull, e Lushtaku iu kthye për ta lagur edhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi i cili pastaj e gjuajti në fytyrë me shishe të ujit.

Pastaj aty janë ofruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së të cilët janë përfshirë në rrahje.

Policia e Kosovës dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit ka intervenuar për t’i ndalur përleshjet.

Ata qëndruan brenda në sallën e Kuvendit, deri sa kryeministri u largua nga aty.

Forca të shtuara të policisë ishin pranë dhe brenda në Kuvend.

Edhe në seancën e rinisur ka pasur përleshje mes opozitës dhe pozitës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore