Lajme

Shishja e Pushtetit dhe flakaresha e Opozitës – Parlamenti i Kosovës si dikur, por ndryshe


Ilustrim

Kuvendi, i cilësuar si “Tempulli i Demokracisë”, përfaqëson organin legjislativ më të lartë të një shteti demokratik, aty të zgjedhurit e popullit – deputetët – diskutojnë dhe miratojnë ligje për të mirën e zgjedhësve të tyre – popullit.

Por, të enjten e 13 korrikut, në Parlamentin e Kosovës, në vend të diskutimeve, Kuvendi i Republikës së Kosovës, u kthye në një sallë përleshjesh fizike.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kabineti qeveritar ishin protagonistët e kësaj dramë të krijuar, e cila iu shfaq para syve tërë popullit të Kosovës dhe jo vetëm.

Si rrodhi ngjarja?

Situata në Parlament eskaloi fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur – që karakterizon personazhin e “Pinokiut” – që përdoret si simbolikë e gënjeshtarit, në një kohë kur ai po fliste për situatën në Veri të Kosovës.

Më këtë veprim të deputetes Musliu, nuk u pajtua zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili u ngrit nga ulësja e tij ku po qëndronte, dhe doli për ta larguar atë letër vetëm pas disa sekondave.

Ky akt i Bislimi provokoi situatën edhe më tej; pasi Mërgim Lushtaku, nga PDK, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Bislimit hodhi ujë në drejtim të Kurtit fillimisht – i cili po fliste në foltoren e kuvendit – dhe më pastaj vartësit të tij Bislimit, derisa ky i fundit iu kundërpërgjigj duke e goditur me shishe të ujit deputetin Lushtaku.

Situata agravoi në përleshje fizike pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat e qeverisë Kurti dhe deputetët e mazhorancës.

Nuk munguan as grushtet e shtyrjet.

Pas agravimit të situatës në sallën e Parlamentit të Kosovës intervenoi edhe mbrojtja e afërt e kryeministrit me qëllim; ndalimin e përleshjeve të mëtejme.

Në tentim për të shtensionuar situatën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërpreu seancën fillimisht për 30 minuta e më pastaj për 2 orë, teksa kërkoi nga organet e sigurisë që të vazhdojnë punën e tyre me gjithçka që është e nevojshme.

Pas rinisjes së seancës plenare, përsëri përplasjet nuk munguan – jo si në atë paraprake. Deputetët e PDK-së dhe të partive të tjera opozitare kërkuan që të ndërpritet seanca, mirëpo shumica insistonte që vazhdonte me miratimin e Projektligjeve që ishin paraparë.

Të gjendur në këtë situatë, ligjvënësit e partisë më të madhe opozitare, tentuan që ta bllokojnë punën e kuvendit, madje deputetja Ganimete Musliu, dhe Floretë Zenjullahu, mbanin dy pankarta në duar; në njërën ishte Kurti, në tjetrën shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Të dy këta ishin portretizuar si “Pinokio” (gënjeshtarë), ndërsa anë ato pankarta kishin edhe një mbishkrim në gjuhën serbe “Zdravo”, kjo pas audio-incizimeve që u publikuan këto ditë, ku dëgjohej kryeshefja e deputetëve të VV-së Kusari-Lila, duke koordinuar politikat shtetërore me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç.

Thirrja që deputetja Musliu e përsëriste vazhdimisht ishte “Qeveria ‘Zdavo’ nuk kalon”.

Seanca do të vazhdonte normalisht vetëm pas pranimit të kërkesës së PDK-së; largimi nga seanca plenare e zëvendëskryeministrit Bislimi, dhe Ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi që të njëjtit konsideroheshin nga deputetët e PDK-së si shkaktarë të dhunës.

Pas largimit të tyre, opozita do të bojkotonte seancën plenare, si shenjë frustrimi ndaj qeverisë, duke i lënë ata të vetëm që të miratonin ato Projektligje të parapara, çka edhe e bënë deri në orët e vona të mesnatës.

Reagimet që pasuan

Reagimi i parë erdhi nga Partia Demokratike e Kosovës. Të njëjtët fillimisht pasi dënuan përleshjen fizike në Kuvend, etiketuan Besnik Bislimin si nxitësin e tensioneve.

PDK-ja fajësoi zëvendëskryeministrin Bislimi për sulm ndaj deputetëve të kësaj partie, meqë sipas tyre, Bislimi ishte i pari ai i cili goditi me mjetë të fortë, saktësisht shishe të ujit, deputetin Mërgim Lushtakun.

Lushtaku – njëri ndër akterët kryesor i përfshirë në përplasje fizike në Kuvend – dha versionin e tij të ngjarjes, në një konferencë për media, më pas.

Lushtaku përveç se e quajti si të palogjikshme që një zëvendëskryeministër përfshihet në rrahje tha se do t’i padisë akterët e pushtetit që janë përfshirë në përleshje në Kuvend dhe që e kanë sulmuar.

Reagim pati edhe nga kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Krasniqi ka thënë se deputetët e PDK-së “janë ballafaquar me një orkestrim të pastër nga ana e Qeverisë, që, fatkeqësisht, ishte i bazuar në sulme fizike dhe nxitje të dhunës”.

Sipas tij, kjo tendencë e qeverisë, duke i sulmuar në mënyrë të paprecedentë deputetët tanë, përveç dëshirës së tyre për të shtypur opozitën, në prapavijë ka edhe dy qëllime të tjera”.

“E para: Që përmes një skandali tjetër, të mbuloj dhe të tërheqë vëmendjen nga skandali më i madh politik në vendin tonë në të cilin janë përfshirë ata vet – koordinimi, bashkëpunimi dhe planifikimi i veprimeve politike bashkë me kriminelin Milan Radojçiç, në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”.

“E dyta: Të mbuloj tërheqjen e turpshme e të fshehtë të Besnik Bislimit nga Veriu i Kosovës – këtij ‘profesori’ që provokoi, nisi dhe kontribuoi pareshtur në sulmet fizike të Qeverisë ndaj deputetëve tanë”, tha ndër të tjera ai.

Versionin e saj së përplasjes në Kuvend e dha edhe Lëvizja Vetëvendosje gjersa e quajti si “krim të organizuar” krejt atë çfarë ndodhi.

“Krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetushmërisë në Republikë Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht”, thuhej në reagimin e VV-së.

Sipas VV-së, teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar “për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në Veri të vendit”, disa deputetë të PDK sulmuan me grushte, “si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës”.

Për përleshjen në fjalë u deklarua shumë shkurtë edhe Kurti, fjalimi i të cilit, fillimisht u fishkëllua nga deputetët e opozitës dhe më pastaj u ndërpre me hedhje me ujë ndaj tij, tha se nuk frikësohet nga këto sulme.

Rrahjen në Kuvend e dënoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa tha se dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë.

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”, shkroi ajo.

Dhunën në Kuvend e dënoi edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Në çdo demokraci, sipas diplomatit amerikan ka dallime të forta, por sipas tij dallimet duhet të zgjidhen përmes dialogut – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë.

“Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mosmarrëveshje”, shkroi ai në Tëitter.

Për situatën jo të zakonshme të krijuar në Kuvendin e Kosovës reagoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, deputetët e të cilës parti nuk u përfshinë në përleshjen fizike në mes të deputetëve të PDK-së dhe disa nga ministrave të Qeverisë.

LDK, përveç se dënoi dhunën këshilloi partinë në pushtet të mos të moralizojë për situatën në fjalë meqë sipas tyre është pikërisht Lëvizja Vetëvendosje ajo që ka instaluar si mjet dhunën në Kuvend.

“Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përplasjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj”.

Tensionimi i situatës në Kuvendin e Kosovës, të enjten, përfshiu edhe ballinat e mediave prestigjioze ndërkombëtare.

Gazetat ndërkombëtare i dhanë jehonë kësaj ngjarje

Përleshja fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe opozita u bë kryetemë e mediave botërore.

Daily MailThe Guardian dhe Associated Press jenë vetëm tri nga mediat ndërkombëtare që kanë shkruar lidhur me situatën e së enjten në Kuvendin e Kosovës.

Që të tria kanë raportuar se përleshja fizike mes deputetëve ka filluar kur deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, iu afrua kryeministri i Kosovës, të cilin e spërkati me ujë.

“Mjaftoi ky veprim që deputetë të opozitës dhe pozitës të përleshen fizikisht, duke detyruar edhe sigurimin që të futet brenda sallës për ta vënë nën kontroll situatën”, shkroi Daily Mail.

Kurse, The Guardian, raportoi se acarimi i opozitës ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vjen pas njoftimit të tij se do të zvogëlohet numri i policëve specialë të vendosur jashtë katër ndërtesave komunale.

“Ky veprim ka zemëruar opozitën, e cila argumentoi se Kurti “eksperimentoi” për muaj të tërë dhe rrezikoi pozicionin ndërkombëtar të Kosovës për t’u tërhequr më vonë”, shkroi The Guardian.

Edhe nga Associated Press situata në Kuvendin e Kosovës, është përshkruar si e “acaruar”.

“SHBA dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë presion Kurtit për të ndihmuar në qetësimin e situatës pasi dhuna shpërtheu në maj pasi kryetarët shqiptarë në përcjellje nga policia morën detyrën pas zgjedhjeve që shumica etnike serbe në zonë i kishte bojkotuar gjerësisht”, thuhej në artikullin e AP-së.

Pasojat penale

Rrahja në mes të deputetëve dhe ministrave do të trajtohet në aspektin penal.

Të paktën kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë, pasi që janë inicuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, lidhur me rrahjen që ndodhi në Kuvend.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria përmes një komunikate për media.

Në komunikatë është bërë e ditur se gjithashtu e ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore.

“Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë”, është theksuar në njoftim.

Madje, Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka ftuar tashmë për intervistim deputetin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtakun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore