Shqipëria

Procesi i pakthyeshëm i ndarjes së PD-së


Kryeministri Edi Rama gjendej në Gjermani për t’u takuar me homologun Olaf Scholz.

Presidenti Bajram Begaj vizitonte për herë të parë si përfaqësues i shtetit selinë e NATO-s.

Ndërsa, Partia Demokratike qëndron e ngujuar brenda katër mureve të dy grupimeve të ndara në thelbin e njëra-tjetrës.

Kjo kundravajtje politike ka si protagonistë të ashtuquajturit komisioni i “Rithemelimit” dhe grupimi “i ligjshëm” i kryetarit të komanduar Enkelejd Alibeaj.

Njëra palë përfaqëson shumicën për të mos thënë të tërë elektoratin blu.

Kjo, e provuar në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit dhe në protestat e organizuara prej kryedemokratit Sali Berisha, ndërsa grupimi tjetër legjitimohet vetëm brenda ankimeve ligjore të gjykatave.

Po ajo shumicë brenda demokratëve nuk i beson bashkimit për të dalë me kandidatë “unik”, propozuar pikërisht nga pala që zotëron vulën dhe fjalën e fundit brenda PD-së.

E gjithë kjo vorbullë teknikalitetesh zgjohet pikërisht në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit për partinë më të madhe opozitare në vend.

Propozimi

Të hënën e 6 marsit, kryetari i mandatuar i PD-së, Enkelejd Alibeaj dha propozimin për daljen me një kandidat të përbashkët dhe unik.

Ai nuk përjashtoi as kandidatët e dalë nga procesi i Primareve demokrate.

Pavarësisht “shtrirjes së dorës” nga Alibeaj, deputeti demokrat nga radhët e Rithemelimit, Edi Paloka mendon se kjo është një hipokrizi.

“Kur del nga goja e Ali-Bashëve është thjesht hipokrizi dhe koha e ka provuar. Vulën ia dha Rama, pas vendimit të gjykatës janë hapur në krah të Ramës dhe tani duan bashkëpunim me partinë demokratike. Alibeaj nuk do bashkëpunim, por tha të marrim të peshojmë kandidatët e primareve dhe të zgjedhim ne”, u shpreh përfaqësuesi demokrat.

Ai shtoi se janë në fazën e fundit të negociatave për regjistrimin e kandidatëve për kryebashkiakë nën koalicionin Meta-Dule.

“Të gjitha partitë me të cilat kemi marrëveshje, LSI, PBDNJ, sipas formulës që ka sot në kodin zgjedhor, do gjendet formula optimale, por bisedimet janë me të gjithë aleatët”, vijoi Paloka.

Gazment Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxha janë tre të deleguarit e grupimit “Alibeaj” që do të tentojnë të krijojnë komunikim me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.

Përpjekje, të cilat, do të vijojnë deri të premten edhe pse premisat për gjetjen e një gjuhe të përbashkët janë pothuajse të pamundura.

Takimi 

Një ditë më parë, Alibeaj zhvilloi takim me Kryesinë që nisi në orët e para të mesditës dhe përfundoi pas disa orësh diskutime.

Fillimisht, ai u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen për zgjedhjet e 14 majit: kandidatët e primareve të Sali Berishës të kandidonin nën siglën e PD-së dhe jo të një koalicioni.

Lidhur me aleancat, demokrati tha se PD-ja merr përsipër ndërtimin e një aleance sa më të gjerë me të gjitha partitë e qendrës së djathtë.

Kjo, me qëllim maksimizimin e votave, ku secili subjekt zhvillon identitetin e tij.

Sa i takon Këshillave Bashkiakë ai ftoi demokratët e intelektualët që kanë qëndruar në momente të vështira të PD-së që të bëhen pjesë e listave të këshilltarëve në bashkitë respektive.

Në fjalën e tij para gazetarëve, Alibeaj theksoi se nuk e konsideron një triumf – për grupimin që ai drejton në Partinë Demokratike – vendimin e Gjykatës së Apelit që i dha vulën e kësaj force politike.

Po ashtu i pyetur nga gazetarët se kush e drejton selinë blu, ai tha se jo vetëm që ndihet i tillë (si drejtues), por se është ligjërisht që pas dorëheqjes së Lulzim Bashës.

Apeli

Të hënën e 6 marsit, përfaqësuesi ligjor i grupit të Alibeajt, Indrit Sefa u paraqit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të depozituar dokumentacionin për regjistrimin e PD-së në zgjedhje.

Sipas tij, kjo ishte një praktikë proceduriale si e çdo partie tjetër.

“Do e vlerësojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nuk e kuptoj gjithë këtë interes kaq të madh. Bëmë një veprim thjesht procedural. Është praktikë e ndjekur nga të gjitha partitë politike”, tha Sefa.

Ndërsa, të dielën ishte grupi i Sali Berishës që dorëzoi dokumentacionin për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor.

Në fund do të jetë kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi i cili do të vendosë se cilën kërkesë do të pranojë.

Situata është krejt e qartë përtej gjëegjëzave mes palëve: PD-ja hyn në zgjedhje me kandidatët e Alibeajt, kandidatët e Primareve do të dalin me koalicionin e formuar para vendimit të Gjykatës së Apelit.

Vendimi i saj për statusin e Partisë Demokratike ka zhbërë të gjitha vendimet e marrë nga Berisha, duke përcaktuar se vula i mbetet kreut të Grupit Parlamentar, Alibeaj.

Duket se zgjedhjet e 14 majit do të jenë një përsëritje e atyre të vitit të kaluar, të paktën për situatën e krijuar në PD.

Edhe pse pranuan se do të futen në zgjedhje me koalicion, demokratët e Berishës ende deklarojnë se ka vetëm një PD.

Madje ata kanë miratuar edhe rezoluta që dënojnë veprimet e Alibeajt dhe ish-kryetarit demokrat, Lulzim Basha.

Ky i fundit dhe pse i deklaruar si i dorëhequr ende nuk e ka zyrtarizuar atë.

Pra ligjërisht ai është në krye të Partisë Demokratike derisa gjykata ta regjistrojë dorëheqjen.

Duke lënë pas situatën e krijuar në PD, në KQZ është regjistruar Partia Socialiste dhe Partia e Lirisë, e cila futet sërish në lojë.

Ajo është partia më e mundshme me të cilën Berisha mund të realizojë koalicionin e provuar në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore