Zgjedhjet në Kosovë

Prizren: Çfarë “mund të” përfitojnë banorët pas zgjedhjeve të 17 tetorit?


Kandidatët për kryetar komune në Zgjedhjet Lokale 2021 nga Prizreni

Kandidatët për kryetarë të komunës së Prizrenit në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen të dielën e 17 tetorit, me shpalosjen e programit të tyre kanë treguar se cilat janë pesë zotimet kryesore të cilat do t’i realizojnë gjatë mandatit të tyre katër vjeçar.

Për Kryetarin aktual të Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka i cili ka hyrë në garë për ta udhëhequr Prizrenin edhe për një mandat tjetër,  prioritet kryesor i tij është funksionalizimi i zonës ekonomike apo thënë ndryshe parku i biznesit.

Bazuar në programin e tij zgjedhor, Haskuka ka pesë fusha në të cilën ai do të fokusohet, Prizren kryeqytet i mirëqenies dhe shëndetit, Prizreni kryeqyteti i rinisë dhe i sportit, Prizreni kryeqyteti i trashëgimisë, kulturës dhe i turizmit, Prizreni qytet i gjelbër, me zonën më të madhe për këmbësori dhe Prizreni kryeqytet i prodhimit dhe zhvillimit.

Për të gjithë këto pesë fusha Haskuka ka specifikuar nga një prioriteti në të cilën ai do të punojë gjatë mandatit të tij katër vjeçar.

“Funskionalizimi i Zonës Ekonomike është në kuadër të fushës, Prizreni kryeqyteti i prodhimit dhe zhvillimit, Ndërtimi i tunelit ose rruga Mullini-Dardania e cila është hapi i parë për të ndërtuar rrugën Prizren-Tetovë është në kuadër të fushës Prizreni qytet i gjelbër, me zonën më të madhe për këmbësorë në rajon”.

“Përmisimi i infrastrukturës brenda Shatërvanit është në kuadër të fushës Prizren kryeqytet i trashëgimisë, kulturës dhe i turizmit, Krijimi i mekanizmave për identifikimi dhe mbështetje të nxënësve me talent në kuadër të fushës Prizren kryeqytet i rinisë dhe i sportit si dhe Ndërtimi i Qendrës kryesore të mjekësisë familjare në kuadër të fushës Prizreni kryeqyteti i mirëqenies dhe i shëndetit”.

Haskuka gjithashtu ka veçuar si prioritet të tij edhe përmisimin e infrastrukturës brenda Shatërvanit, ku sipas tij ri-dizajnimi i krejt qendrës së Prizrenit do të bëhet duke e mbrojtur qendrën historike.

Shaqir Totaj – PDK

Në anën tjetër, kandidati për kryetar komune nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, ka veçuar top pesë prioritetet e tij si kryetar komune.

“Ne i kemi pesë fusha si prioritet, Arsimi, Shëndetësia, Ekonomia, Infrastruktura dhe Rinia Kultura dhe Sporti”.

Sipas tij, ri-dizajnimi i trafikut urban në qytetin e Prizrenit është top prioritet i tij, kjo pasi që sipas tij Prizreni ka një mbi ngarkesë urbane.

“Duhet të ketë më shumë vija të trafikut urbanë në qytete dhe fshatra duhet të ketë më shumë parkingje dhe duhet të zgjidhet statusi i parkingjeve ekzistuese, de-bllokim i rrugës tranzitore Dardani-Arbanë”.

Ai madje premton edhe krijimin e një infrastrukture për 800 parkingje tek parku i qytetit dhe tek Kuvendi Komunal i Prizrenit apo siç njihet ndryshe shtëpia e bardhë.

Projekti tjetër që Totaj do të ketë si prioritet gjatë mandatit të tij katër vjeçar është edhe digjitalizimi i 20 shkollave dhe ndërtimi i 5 çerdheve me bazë në komunitet.

Ndërsa ai në fushën e shëndetësisë parasheh ndërtimin e qendrës së mjekësisë familjare.

“Programi mjek për çdo familje si dhe shërbime të shpejta mjekësore dhe aparatura të reja si dhe bonuse 200 euro për nënat e reja pas lindjes”.

Totaj, në fushën e ekonomisë do të fokusohet në krijimin e një fondi të veçantë për ekonomin e qytetit dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

“Do të krijojmë fondin për mbështetjen e start-up bizneseve me ide inovative, do të funksionalizojm zonën ekonomike, do të formojmë inkubatorin Hackespace për mbështetjen e talenteve të rijnë në fushën e teknologjisë informative”.

Anton Qunin – LDK

Për Anton Qunin, kandidat për kryetar komune nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, projekti më i rëndësishëm gjatë mandatit të tij katër vjeçar në qytetin e Prizrenit do të jetë furnizimi me ujë të pijes për të gjithë qytetin.

“Ne nuk do të kemi më problem furnizimin me ujë të pijes, për shkak se gjatë mandatit tim Prizreni do të ketë së paku edhe një burim të ri i cili sjell deri në 900 litra ujë të pijes në sekond, me këtë projekt ne do të sigurojmë ujë të pijshëm për gjithë Prizrenin dhe fshatrat përreth”, është zotuar Quni.

Projekti i tij i dytë për Prizrenin si kryetar komune do të jetë ndërtimi i Unazës së Qytetit.

“Kjo unazë do ti mundësoj secilit që ti qaset qytetit nga secila lagje, pa pasur nevojë të ballafaqohet me kolona të veturave, unaza e qytetit do të ndërtohet nga lagja Arbana deri te fshati Vlashnje”.

Ndërsa Bulevardi i ri do të jetë projekti i tij i tretë kjo pasi që me rritjen e kapacitetit të qendrës historike të Prizrenit do të rritet edhe kapaciteti për të pritur shumë më shumë turist.

“Qendrën e qytetit do ta transformojmë duke ndërtuar një bulevard nga lagjja tabakhane deri tek sheshi i lidhjes”.

Gjatë mandatit të tij katër vjeçar si kryetar komune Quni do të ketë si prioriteti edhe projektin e ndërtimit të tre parkingjeve nën tokësore.

Edhe rregullimi i shtratit të Lumbardhit gjendet në top pesë projektet e Qunit.

“Rregullimi i shtratit të lumëbardhit në Prizren përfshinë segmentin nëpër qytet prej 4.5 kilometra, qëllimi kryesori i rregullimit të shtratit të lumëbardhit është sigurimi i tij nga ndotja e mundshme aspekti estetik dhe funksional”.

 

Zafir Berisha – NISMA

Ndërtimi i “Portës Triumfale” në hyrje të Prizrenit është top prioriteti i kandidatit për kryetar komune nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha.

“Ndërtimi i “Portës Triumfale” në hyrje të Prizrenit nga drejtimi i Kukësit, për të kujtuar largimin e mbi 500 mijë qytetarëve nga gjenocidi serb, kthimin e tyre dhe luftën titanike të UÇK -së, si dhe aleancën me NATO-n”, ka thënë Berisha.

“Përfundimi i parkut të biznesit prej 84 hektarësh në zonën katastrale Korishë-Lubizhdë. Ndërtimi i poligonit për trajnimin e kandidatëve nga auto shkollat si dhe garat sportive në motor sport në zonën katastrale Gjonaj-Zym, në një̈ sipërfaqe prej 3 hektarësh”

“Ndërtimi i dy parkingjeve në pjesën qendrore të qytetit, në përputhje me ligjin për Partneritet Publiko-Privat përballë̈ objektit të administratës komunale dhe në Marash si dhe Ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza në fshatin Nashec-Tupec”.

Do të jenë top pesë prioritetet e kandidatit për Kryetar Komune në mandatin e tij katër vjeçar nga Nisma Socialdemokrate, Zafir Berisha.

Lulzim Kabashi – AAK

Kandidati për kryetar komune nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lulzim Kabashi, rivitalizimin e zonës historike të Prizrenit duke përfshirë shtratin e Lumëbardhit, pjesën e parkut botanik dhe Kalanë e Prizrenit e veçon si top prioriteti të tij.

Pastaj,  Funksionalizimi i zonave industriale, mbështetja e bujqësisë dhe blegtorisë, mbështetja e zejtarëve dhe afaristëve si dhe krijimin e kushteve për investime të huaja nga diaspora do të jenë prioritet e tjera të tij si kryetar i komunës së Prizrenit.

Historiku i komunës së Prizrenit në zgjedhjet lokale 2017

Në zgjedhjet lokale të mbajtura katër vjet më parë, përkatësisht në vitin 2017, Lëvizja Vetëvendosje pati arritur të grumbullojë gjithsejtë, 14 mijë e 967 vota apo 22.41 % me kandidatin për kryetarë të komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

I cili në raundin e dytë të zgjedhjeve kishte arritur të marrë 25 mijë 949 vota apo 50,36 % kështu duke e lënë prapa kandidatin për kryetar komune për Prizrenin nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj i cili në raundin e dytë kishte grumbulluar 25 mijë e 577 vota apo 49.64%.

Totaj, në raundin e parë kishte arritur të grumbullonte 19 mijë e 869 vota apo 29.75%.

Ndërkaq, LDK, që në zgjedhjet lokale të vitit 2017, me kandidatin për kryetarë të komunës së Prizrenit, Hatim Baxhaku kishte arritur të mbledhë në total 13 mijë e 055 vota apo 19.54 %.

AAK, me kandidatin Lulzim Kabashi, kishte arritur të grumbullojë gjithsejtë pesë mijë e 814 vota ose 8.70 %.

Ndërsa, Nisma Socialdemokrate, me kandidatin, Zafir Berisha arriti të marrë pesë mijë 404 vota apo 8.09 %.

Prizreni

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore